0Amerika Latine luan një rol mjaft të rëndësishëm e të spikatur në botën moderne. Për tu pozicionuar si e tillë atë e ndihmojnë në një masë të konsiderueshme edhe pasuritë e saj natyrore: në vendet e Amerikës Latine, që zënë 15% të sterés, janë përqëndruar rreth 20% e burimeve minerare. Madje më tepër se kaq, rajoni ka arritur t’i mbijetojë krizës globale të vitit 2008 me humbje minimale për veten dhe po demonstron tani një performancë mjaft të mirë të zhvillimit ekonomik.

Nëse do të flasim për Brazilin dhe Kubën, duhet thënë se për Rusinë këto dy vende luajnë një rol kyç. Lulëzimi dhe intensifikimi i kontakteve midis Moskës dhe Havanës ndodhi në periudhën sovjetike të historisë. Pas kësaj vendet përjetuan një periudhë të vështirë në marrëdhëniet e tyre. Por aktualisht situata po vjen duke u përmirësuar gradualisht, thotë eksperti rus Boris Martinov:

- Pozita gjeopolitike e Kubës është jashtëzakonisht e favorshme, e leverdisshme për tregtinë botërore. Atje ka porte të mëdha, të mrekullueshme, ku mund të hyjnë anije cisterna me tonazh të madh, të ndryshëm. Sferat e bashkëpunimit tonë janë energjetika, makinandërtimi i automjeteve të transportit.

Në axhendën e vizitës së Kryeministrit rus në Kubë janë parashikuar edhe bisedimet me Kryetarin e Këshillit të Shtetit dhe Këshillit të Ministrave të Kubës Raul Castro. Fjalë në to, mbi të gjitha, do të bëhet për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Rusinë me Brazilin e lidh programi bilateral i bashkëpunimit. Në fillim të shkurtit në shtyp filluan të qarkullojnë njoftimet se dy vendet planifikojnë të nënshkruajë një kontratë me vlerë prej 1.5 miliardë $ për furnizimin e sistemeve artilerike raketore “Pancir” (russ. "Панцирь") dhe komplekseve portative të mbrojtjes ajrore "Igla" (russ. "Игла"). Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar gjatë negociatave mes dy liderëve, respektivisht Vladimir Putin dhe Dilma Rousseff, u diskutuan rrugët e reja të bashkëveprimit në sferën e tregtisë. Vazhdim i kësaj pune do të bëhet takimi i gjashtë ruso-brazilian i komisionit të nivelit të lartë për bashkëpunimin, në të cilin do të marrë pjesë Kryeministri rus Dimitri Medvediev. Është planifikuar edhe takimi i tij me Presidenten Dilma Rousseff. Rusia dhe Brazili kanë një perspektivë mjaft të gjerë të projekteve të përbashkëta, mendon Drejtori i Institutit të Amerikës Latine të Akademisë Ruse të Shkencave, Vladimir Davidov:

- Unë mendoj se edhe në sektorin e energjetikës bërthamore, edhe në fushën e atomit paqësor ne kemi perspektiva të mira bashkëpunimi. Unë jam mëse i bindur se Rusia është në gjendje t’i ofrojë shërbime cilësore inxhinierike Brazilit. Kurse Brazili është i aftë për gjëra të tjera në degë të ndryshme të industrisë. Vendet tona mund të plotësojmë për mrekulli njëri-tjetrin.

0Ekspertët vërejnë se intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike me Amerikën Latine sot është në rendin e ditës për shumë vende. Rusia në këtë listë gëzon një status të veçantë: ajo ka përvojën e mirë të së kaluarës dhe zhvillime serioze për të ardhmen.