0Lëvizshmëria e gjymtyrëve dhe ndjeshmëria u rikthehen pacientëve që pas dy muajsh. I gjithë operacioni është reduktuar në një injeksion të vetëm dhe zgjat jo më shumë se një orë. Por koha e rimëkëmbies së pacientit pas tij shkurtohet në mënyrë të qenësishme. Shpëtim i vërtetë nga invaliditeti (paaftësia fizike) për personat me gjymtyrë të sëmura u bënë qelizat dhjamore.

Teknologjia e operacioneve në Spitalin klinik Republikan është si vijon: pacientit i merret një fragment i indit dhjamor, në laborator prej tij nxirret koncentrati qelizor (ekstrakti celular) dhe po atë ditë i injektohet atij në zonën e dëmtuar. Operacioni zgjat rreth një orë. Koncentrati i injektuar kryen punën e njëfarë lloj fabrike - ai sekreton komponimet aktive biologjike të nevojshme për shërimin e shpejtë të organizmit.

Ky është një fenomen i ri në trajtimin e dëmtimeve të nervave periferike. As në Rusi dhe as jashtë vendit nuk ka patur ende studime mbi këtë temë. Për trajtimin e lëndimeve dhe sëmundjeve të kësaj natyre në botë përdoren qelizat burimore (staminale).

Në Tartarstan kanë vendosur të mendojnë më gjerë. Koncentrati, i cili përftohet prej indeve dhjamore, përmban jo vetëm qeliza burimore. Pikërisht në këtë konsiston edhe risia, edhe sekreti i suksesit të shkencëtarëve që përpunuan metodën e sipërpërmendur. Koncentrati nuk shkakton mospranim nga ana e organizmit apo reaksione alergjike, nuk çon në zhvillimin e sëmundjeve onkologjike.

Në Republikën e Tartarstanit efekti i kësaj metode të re është studiuar e testuar në pesëdhjetë pacientë. Rezultatet kanë habitur madje dhe specialistët.

0Kjo teknologji nuk parashikon kryerjen e manipulimeve suplementare me qelizat burimore, prandaj ato janë biologjikisht krejtësisht të sigurta. Si rezultat, koncentrati qelizor i indit dhjamor i ngre në këmbë, në kuptimin e plotë të fjalës, të sëmurët që i kishin humbur të gjitha shpresat për të ecur normalisht, me siguri të plotë, si gjithë njerëzit normalë. Ndërsa ata pacientë, që i kishin gishtat të palëvizshëm dhe të pandjeshëm, pas injeksionit çudibërës mund t’i shtrëngojnë fort dorën mjekut të vet.