Galeria fotografike:

0Fragmentet e gjetura të "meteoritit Çebarkul"

Zëvendëskryeministri i qeverisë ruse Dimitri Rogozin, pothuajse menjëherë pas lajmit të shpërthimit të meteoritit mbi rajonin e Çeljabinskut, deklaroi mbi domosdoshmërinë e krijimit të një sistem ndërkombëtar për mbrojtjen e Tokës nga bombardimet meteorike. Gjatë kësaj Rogozin vuri në dukje se aktualisht asnjë shtet nuk është i aftë të rrëzojë, të shkatërrojë meteoritët.

Ideja e krijimit të një mburoje kundër sulmeve të meteorëve është diskutuar në mënyrë të përsëritur në komunitetin shkencor, por mjetet e sotme ekzistuese të parandalimit të kërcënimeve kozmike që zotërojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë të përshtatshme vetëm për zhvillimin e “Luftrave yjore” ("Star Wars") të këtyre dy fuqive me njëra-tjetrën. Nëse do të flasim për mjetet e kontrollit të hapësirës kozmike, strukturat përkatëse ruse dhe amerikane, sipas fjalëve të ekspertit rus Ivan Konovallov, arrijnë të monitorojnë bashkarisht jo më shumë se 3% të saj. Në intervistën e vet me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" ai vuri në dukje si vijon:

- Sistemi i shkëmbimit të informacionit tashmë ekziston, por ai mund t’i nënshtrohet përsosjes së mëtejshme me qëllim që të funksionojë më efektivisht se sa shkëmbimi aktual i thjeshtë i informacionit midis dy vendeve mbi intervencionin e trupave jashtëtokësorë. Përsa i përket instrumenteve apo sistemeve të caktuara, që do të mund të shkatërrojnë këto objekte, duhet thënë se kjo është punë e një të ardhmeje të largët...

Në një perspektivë të caktuar teorikisht është i mundur krijimi i mburojës mbarëplanetare, por me kusht që për arritjen e këtij qëllimi të bashkohet potenciali ekonomik dhe tekniko-shkencor i Rusisë, SHBA-së, Kinës dhe vendeve të tjera që poseidojnë teknologji kozmike. Por një konsolidim i tillë, sipas mendimit të Ivan Konovallov, është pothuajse i pamundur të imagjinohet.
Eksperti rus Vladimir Evsejev tërheq vëmendjen ndaj diçkaje tjetër:

- Brenda kufijve të Sistemit diellor asteroidet e mëdha dhe trajektoret e lëvizjes së tyre vrojtohen dhe ndiqen mjaft mirë. Tjetër gjë janë objektet që ndodhen jashtë Sistemit diellor. Për vëzhgimin e tyre nevojitet një sistem monitorues ndërkombëtar. Por në të njëjtën kohë sistemi i monitorimit lejon vetëm pikasjen e pranisë së objektit kozmik.

Nëse do të flitet seriozisht në lidhje me mundësinë e ndryshimit të trajektoreve të lëvizjes së objekteve të rrezikshme kozmike që i afrohen Tokës, thekson eksperti Vladimir Evsejev, atëherë duhet të krijohet një sistem i veçantë që nuk mund të kombinohet, për shembull, me sistemin e mbrojtjes antiraket. Sepse meteoritet dhe raketat tokësore kanë shpejtësi krejtësisht të ndryshme fluturimi. Kështu, shpejtësia e fluturimit të mbushjes bërthamore të raketës balistike ndërkontinentale është disa kilometra për sekondë. Kurse meteoriti, që shkaktoi shkatërrime serioze pranë Çeljabinskut, lëvizte me një shpejtësi prej disa dhjetëra kilometra në sekondë. Ndaj shpejtësive të tilla çfarëdo lloj sistemi i mbrojtjes antiraket është krejtësisht i pafuqishëm, i padobishëm.

0Madje më tepër se kaq, shkatërrimi i një objekti të tillë në hapësirën përreth Tokës edhe në lartësinë prej disa qindra kilometrash nuk do të japë asnjë efekt. Më shumë gjasa ka që meteoriti të depërtojë megjithatë në atmosferë dhe të shkaktojë valën goditëse. Në mënyrë që të parandalohet me të vërtetë rreziku kërcënues për Tokën është e nevojshme të ndryshohet trajektorja e objekteve të rrezikshme si minimum në një distancë prej disa mijëra, por edhe dhjetëra mijëra kilometrash nga Toka. Kurse për këtë lypsen sisteme mbrojtëse thelbësisht të ndryshme të sigurisë, të cilat kërkojnë bazim kozmik dhe pajisje, të themi, kimike me rreze lazer, të afta për të ndryshuar trajektoren e objekteve jashtëtokësore.