0Më shumë se 70 vepra të krijuara gjatë 20 viteve të fundit prej këtyre artistëve janë ekspozuar në Galerinë e Arteve të Zurab Cereteli-t (Tsereteli). Pranë me imazhet e gdhendura janë paraqitur edhe skicat grafike për kompozimet e ardhshme të gdhendura. Artistët gati 30 vjet të jetës së tyre ia kanë dedikuar ringjalljes së artit të ikonave të gdhendura. Në punën e vet ata orientohen si në imazhet e pakta shumë të vjetra ruse, të moçme të gdhendura në dru, që kanë mbijetuar deri në ditët tona, ashtu dhe në modelet bizantine. Teknikën e tyre me të vërtetë virtuoze mjeshtrat e kanë alternuar me interpretimin bashkëkohor të traditës së lashtë artistike.

Ikonat e para të gdhendura erdhën në Rusi nga Bizanti që në shekullin e XI dhe në fillim ishin shumë më të përhapura se sa imazhet e pikturuara tradicionale të shenjtorëve. Mjeshtrat rusë pasi përvetësuan për mrekulli përvojën bizantine e zgjeruan në mënyrë të qenësishme atë. Ikonat e punuara fillimisht në bareliev i pikturonin me ngjyra dhe i mbulonin me shtresa ari dhe argjendi, i piqnin në furrë, i zbukuronin me gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar. Për ti mbrojtur nga lagështia dhe myku i lyenin disa herë me penel me vajra të rafinuar e të pastruar sipas një metode të veçantë, me dyll blete, me llaqe të ndërlikuara.

Historikisht ndodhi kështu që në mesin e shekullit XVII pjesa më e madhe e ikonave të gdhendura ruse u zhdukën, u shkatërruan. Shkas për këtë shërbeu reforma kishtare e periudhës së vitete 1650-1660, gjatë së cilës Patriarku Nikon vendosi rregulla të reja. Ato ndalonin bërjen e ikonave dhe skulpturave me vëllim hapësinor. Në fillim të shekullit XVIII me dekretin e vetë Carit u ndalua përdorimi në kisha e tempuj i imazheve të gdhendura të shenjtorëve me përjashtim të Kryqëzimit të Krishtit. Si rezultat u arrit të shpëtohen fare pak ikona të gdhendura.

Pavarësisht kataklizmave të shumta historike, arti i ikonave të gdhendura arriti të mbijetojë dhe aktualisht është duke përjetuar një rilindje, lulëzim të ri. Inesa dhe Rashid Azbuhanov krijojnë ikona në teknikën e barelievit si dhe ikonostase, atribute e objekte të tjera të interierëve të kishave.

Mjeshtëria e tyre është bërë tashmë e njohur gjerësisht. Këtë e dëshmojnë më së miri ekspozitat e tyre personale të hapura në muzetë e Moskës dhe Shën Petersburgut. I vlerësojnë shumë veprat e tyre edhe në Evropë: ikonat e gdhendura të bashkëshortëve Azbukanov janë ekspozuar në Gjermani, në Britaninë e Madhe dhe në Vatikan. Veprimtari katolik francez, Kardinali Paul Poupard ka mbetur i mahnitur, i impresionuar nga puna e tyre.

"Artistët po ndërtojnë urën lidhëse në mes të traditave fetare dhe na flasin ne sot për të vërtetën dhe bukurinë, duke na bërë më të vetëdijshëm për të perceptuar më thellë kuptimin e ekzistencës së vlerave", - tha ai.

0Vizitorët mund t’i perceptojnë në mënyra të ndryshme punët e Inesa dhe Rashid Azbuhanov: disa do t’i shohin ato thjeshtë si vepra arti, të tjerë do t’i kushtojnë vëmendje kryesisht imazheve të shenjtorëve, ndërsa shumë të tjerë do të mund të vërejnë se si është interpretuar tradita e lashtë artistike nga artistët bashkëkohorë. Por, pavarësisht nga bindjet e veta fetare, çdo shikues do të ndjejë ngrohtësinë që rrezatojnë "ikonat e gdhendura".