0Në shtresat e dendura të atmosferës ai u shpërbë në fragmente të vogla. Pikërisht kjo ndihmoi për të shmangur viktimat dhe shkatërrimet e rënda, besojnë shkencëtarët.

Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, qielli fillimisht u ndriçua nga një regëtimë verbuese drite, më pas u dëgjua një shpërthim dhe në qiell u duk një sferë e ndritshme me ngjyra të ndezura që linte pas vetes një gjurmë të gjerë të bardhë. Nga vala pasuese goditëse e shpërthimit u thyen xhamat e dritareve të ndërtesave të shumta. Fragmentet e meteorit shkatërruan pjesërisht murin dhe çatinë e një prej uzinave të rajonit të Çeljabinskut (Chelyabinsk). Janë dëmtuar linjat e tensionit të lartë. Më shumë se 500 persona u drejtuan për ndihmë mjekësore, kryesisht me trauma dhe prerje jo të thella nga xhamat e thyer.

Galeria fotografike

Po të kishte qenë meteori me përbërje më të fortë apo më i madh, viktimat dhe dëmet do të kishin qenë shumë më të mëdha atëhere. Ne thjesht ishim me fat, mendon eksperti i Institutit rus të Astronomisë, Dimitri Vibe:

 - Sistemi diellor është i tejmbushur me materie. Përveç planeteve ai përmban edhe trupa shumë më të vogjël - madhësitë e tyre mund të arrijnë në qindra kilometra, por mund të maten edhe në metra. Natyrisht, trupat qiellorë kohë pas kohe përplasen edhe me njëri-tjetrin, dhe me planetet, në veçanti, me Tokën. Kur një trup i tillë hyn në atmosferën e Tokës shpejtësia e fluturimit të tij është shumë e madhe, ajo mund të matet në dhjetëra kilometra për sekondë. Dhe gjatë frenimit në atmosferën e Tokës ky trup qiellor nxehet shumë e fillon të avullojë, duke çliruar gjatë kësaj një sasi jashtëzakonisht të madhe energjie. Nëse trupi qiellor është me përmasa të vogla, ai mund të shpërbëhet plotësisht dhe ky proces do të duket nga Toka si një shpërthim. Kurse ato fragmente të tij, që i mbijetojnë kalimit nëpër atmosferën e Tokës, bien dhe, në fakt, pikërisht në këtë moment ato fillojnë të quhet meteorite.

Sipas informacionit të shtabit operacional, një meteorit ka rënë në liqenin që ndodhet rreth 1 km nga qyteti i Çebarkul (Chebarkul) në rajonin e Çeljabinskut (Chelyabinsk). Tani në vendet e rënies së fragmenteve të trupit qiellor po punojnë 20.000 shpëtues. Ata po evidentojnë dëmtimet dhe po kërkojnë fragmentet e meteorit - ky është material me të vërtetë i paçmuar për shkencëtarët.

Vazhdimi i rënies së mbeturinave të meteorit në një kohë të afërt nuk pritet.