0Shumë nga njerëzit që e festojnë Ditën e Shën Valentinit janë mëse të bindur se kjo është një festë katolike. Por përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë nuk lodhen së përsërituri çdo vit - kjo festë nuk ka të bëjë fare me kishën dhe fenë. Ja se çfarë tregon Drejtori i shërbimit për shtyp të Kryedioqezës romako katolike të Shën Marisë në Moskë, kleriku Kirill Gorbunov:

- Për Kishën Katolike nuk ekziston kurrfarë Dite e gjithë të dashuruarve (Dita e Shën Valentinit). Kjo është një festë krejtësisht laike. Madje më tepër se kaq, në këtë datë Kisha Katolike kremton Ditën e Apostujve të Shenjtë Kirilli dhe Metodi - shenjtorëve mbrojtës të Evropës dhe iluministëve të popujve sllavë. Në kalendarin e Kishës sonë vërtetë ekziston një datë fakultative, domethënë përkujtimi jo i detyruar i Shën Valentinit. Por vetë tradita e festimit të Ditës së Shën Valentinit është krejtësisht laike dhe e merr origjinën e vet ndoshta nga shekulli XV në Angli, ndërsa pastaj u përhap në mbarë botën.

Kujtimin e cilit prej Valentinëve konkretisht nderojnë në këtë ditë të dashuruarit - mbetet një mister. Legjendat dhe gojëdhënat tregojnë së paku për tre dëshmorë (martirë) të hershëm të krishterë, shenjtorë me këtë emër (Valentin). Është i njohur fakti, megjithatë, se në shekullin V në Romë ishte shumë i përhapur kulti i Shën Valentinit, por ai u imponua e rrënjos me forcë nga Papa romak Galasius I për të zëvendësuar festën pagane, që i binte në mes të shkurtit, Lupercalia (festa e erotizmit dhe dashurisë së shfrenuar seksuale).

Festimi masiv i Ditës së Shën Valentinit filloi në shekullin XIX në Shtetet e Bashkuara - me sa duket për të stimuluar dhe zhvilluar industrinë e dhuratave. Që nga fundi i shekullit XX kjo traditë u rrënjos fort edhe në Rusi, por në vitet e fundit festa është lënë gjithnjë e më shumë në harresë. Në fakt kjo tendencë është mëse e kuptueshme, shprehet me bindje të plotë prifti orthodhoks Vadim Leonov:

- Kjo festë është një element i huaj në kulturën ruse. Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar në Rusi invaduan nga Perëndimi shumë ide të reja dhe mjaft të larmishme. Dhe të gjitha ato ne u përpoqëm t’i provojmë mbi veten tonë. Përfshirë këtu edhe festimin e të ashtuquajturës Dita e Shën Valentinit. Por ai komercializim që e shoqëroi atë, në parim, nuk mund të përputhet kurrsesi me ndjenjën e dashurisë. Gradualisht njerëzit filluan ta kuptojnë këtë.

0E megjithatë, për ata që vazhdojnë ta festojnë ende Ditën e Shën Valentinit më 14 shkurt, në shumë qytete ruse ishin përgatitur surpriza të këndshme. Në Shën Petersburg, për shembull, në këtë ditë u morr vendimi për të ulur çmimet e biletave në muzetë dhe teatrot e qytetit. Kurse në qytetin Bllagoveshensk, në Lindjen e Largët të Rusisë, të gjithë personat me emrin Valentin apo Valentina kishin mundësi të përfitonin ulje të konsiderueshme në kafenetë dhe restorantet e qytetit.