0Redaktorja e vëllimit me titull "Përrallat dhe legjendat" e Da Vinçit, Natalia Gusarova, në një intervistë me "Zërin e Rusisë" vuri në dukje se në rolin e tregimtarit Leonardo është shumë pak i njohur jo vetëm në Rusi, por edhe në botë. Ndonëse në shekullin e XV në Itali fama e tij si shkrimtar ishte shumë e madhe:

- Nëse libri në fjalë do të ishte botuar gjatë jetës së Leonardos, ky fakt nuk do të kishte shkaktuar ndonjë habi të madhe në radhët e bashkëkohësve të tij - ata e dinin për mrekulli se piktori i madh ishte një vizionar kreativ, fantazues i pashtershëm dhe rrëfimtar i mrekullueshëm. Njerëzit kapnin në fluturim çdo fjalë të tij. Tregimet e artistit përcilleshin gojë më gojë, nga babai tek biri, nga djali tek nipi. Edhe sot e kësaj dite në disa fshatra italiane gëzojnë popullaritet të madh përrallat, autor i të cilave ishte në fakt vetë Leonardo da Vinci.

Gjeniu nuk i ruante historitë e rrëfimet e veta. Ai i shkruante ato, mes punëve të tjera, në anët e fletëve ku kishte hedhur më parë përsiatje shumë më të rëndësishme. Ja se çfarë tregon më tej Natalia Gusarova:

- Trashëgimia e dorëshkrimeve të Da Vincit nuk është botuar ndonjëherë sa ishte gjallë ai. Kurse pas vdekjes së piktorit gjenial ajo u shpërnda nëpër botë. Deri në ditët toka kanë mbijetur më shumë se 7000 fletë. Kjo trashëgimi letrare pa lidhje, fragmentare, nisi të kompletohet dhe të publikohet vetëm në fund të shekullit të XIX në fillim të atij të XX.

Të parat u publikuan veprat shkencore. Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar një nga shtëpitë botuese më të vjetra fiorentinase "Giunti" publikoi për herë të parë përrallat e Leonardos. Në mes të viteve ’80 ato u përkthyen në rusisht nga historiani i njohur i artit, specialisti për Italinë, Aleksandër Mahov. Por në atë kohë filloi Perestrojka, e cila përfundoi me kolapsin, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Dhe si rezultat libri unikal mbeti pothuajse pa u vënë re, në hije.

Edicioni i ri përfaqëson në vetvete po atë përkthim të Aleksandër Mahov, veçse të plotësuar me vizatime të piktores italiane Adrianna Saviozzi Maza. Ai është një përmbledhje e 79 legjendave shkurtra, përrallave dhe rrëfimeve - në prozë. Secila është jo më shumë se një faqe. Personazhet kryesore të tyre janë kafshët, bimët. Por flasin ato me gjuhën e njerëzve. Dhe, duhet thënë, se përpiqen të zgjidhin problemet krejtësisht njerëzore: grinden për posejdimin e tokës dhe burimeve të ujit, bien në grackat e ngritura me duart e tyre, e gjejnë veten në situata absurde për shkak të përtacisë dhe vetëmburrjes. Do të dukej në vështrim të parë sikur të gjitha përrallat e botës janë ndërtuar në bazë të këtyre subjekteve. "E megjithatë ky libër është jashtëzakonisht i rëndësishëm", - konfirmon me bindje të plotë në një intervistë me "Zërin e Rusisë" përkthyesi Aleksandër Mahov:

- Në shekullin tonë të mosbesimit, pragmatizmit është shumë e rëndësishme kur lexuesit, veçanërisht lexuesit të ri, i përcillen idetë e shprehura nga gjeniu i madh. Do të doja shumë të shpresoja se mendimet e tij në lidhje me të mirën, me gjithçka të vlefshme e të ndritshme në jetë të prekin shpirtin e lexuesit, të depërtojnë thellë në vetëdijen e tij. Jeta është e përjetshme, e pafund. Por edhe mirësia është gjithashtu e përjetshme dhe e pafund - përkundër së keqes që na rrethon. Leonardo besonte në këtë.

0Përrallat e Da Vinçit i njohin lexuesit, në radhë të parë, me vetë gjeniun, thotë përkthyesi, me parimet, vlerat themeltare të tij, me pikëpamjet e piktorit në lidhje me shoqërinë.