0Vitin e kaluar në bazë të shumës së eksporteve dhe importeve të mallrave Kina la pas vetes Uashingtonin me 100 miliardë $ dhe u pozicionua në nivelin 4 trilionë $. Arsyeja e kësaj është rishpërndarja e kërkesës së brendshme në të dyja vendet, sqaron analisti kryesor i kompanisë "Finmarket" Andrei Lusnikov:

- Kina është përfshirë në mënyrë mjaft aktive në tregtinë ndërkombëtare. Vërtetë, ritmet e rritjes së eksporteve të Kinës janë ngadalësuar në vitet e fundit, por kjo po ndodh edhe në sfondin e rënies së importeve në SHBA.

Në qoftë se punët do të shkojnë kështu edhe më tej, Pekini do të zërë atëherë vendin e parë në botë në aspektin e PBB-së. Por kjo do të ndodhë vetëm pasi vendet kryesore ta marrin veten, të shërohen nga kolapsi ekonomik. Opinioni i analistit të agjencisë ruse "Investkafe" Andrei Shenk:

- Kina do të vazhdojë të rrisë prodhimin dhe do të konsumojnë shumë më tepër brenda vendit. Popullsia do të pasurohet, do të rritet fuqia blerëse e saj. Për llogari të numrit të madh të popullsisë Kina mund të arrijë norma shumë të larta rritjeje të PPB-së - deri në 9-10%. Si përfundim kjo mund të çojë në faktin se Kina do të dalë në vendin e parë përkatësisht nivelit të PBB-së, por nëse kjo do të ndodhë pikërisht në vitin 2017 është e vështirë të thuhet. Sipas mendimit tim, ky është një parashikim tejet optimist.

Sipas gjykimit të disa ekspertëve, Kina do të duhet të presë ende për mishërimin në jetë të idesë së dominimit të vet ekonomik botëror. I gjithë problemi konsiston në faktin se dollari amerikan “ka hedhur rrënjë të forta” në rezervat valutore të shumë vendeve të botës. Tentativa për ta hequr qafe ashtu menjëherë atë është e barazvlefshme me disa hapa mbrapa në rrugën e zhvillimit ekonomik. Edhe një arsye tjetër është politika ekonomike e Kinës. Kursi i juanit kinez deri tani përcaktohet nga autoritetet e vendit. Dhe për sa kohë që do të ndodhë kjo, në hartën ekonomike të botës do të ruhet status quo-ja, shpjegon ekonomisti i pavarur rus Andrei Zaostrovcev:

- Kur ne kemi një rregullim jo-tregu të kursit të këmbimit valutor, një monedhë (valutë) e tillë nuk mund të kryejnë funksionet e parave botërore në marrëdhëniet ekonomike. Me qëllim që të mund të zërë një vend të tillë ajo duhet bërë, para së gjithash, monedhë tregu. Nëse ndodh kjo, atëhere vlera e juanit do të dyfishohet në krahasim me kursin aktual. Dhe atëhere konkurrenca e mallrave kineze do të bjerë në mënyrë të ndjeshme.

0Për Republikën Popullore të Kinës kjo do të jetë vetëvrasje ekonomike. Në këtë rast do të ndodhte rritja automatike e qirasë, rritja e pagave dhe, si rezultat, rritja e kostos së prodhimit të mallrave do ta detyrojë kapitalin e huaj të marrë arratinë prej këtij vendi në Vjetnam, Indonezi apo Bangladesh, sepse atje është më lirë. Dhjetëra miliona kinezë do të humbasin vendet e punës. Pasojat e këtij hapi do të jenë katastrofike për vendin. Por për sa kohë që Pekin zyrtar nuk ka ideuar ndonjë model të ri ekonomik, Kina do të vazhdojë të ruajë statusin e fabrikës së botës.