0Si ngjarje të rëndësishme për vitin 2012, Ambasadori shqiptar përmendi zhvillimin me sukses të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi, të parën ngjarje me përmasa të tilla, të zhvilluar këto vitet e fundit. Në harkun kohor të pothuajse 3 muajve u zhvilluan një sërë aktivitetesh mbi Shqipërinë në Rusi, të cilat zhvilloheshin edhe në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: si koncerte, ekspozita, javë filmi, konferenca shkencore, të cilat përfshinë, përveç kryeqytetit rus, Moskës, edhe qytete të tjera të rëndësishme si Shën Petersburgun, Nizhni Novgorodin etj.

Ashtu si dhe në vitet paraardhëse, edhe gjatë vitit 2012, u ruajt niveli i lartë i konsultimeve diplomatike dypalëshe, u nxit bashkëpunimi tregtaro-ekonomik, ku disa kompani të mëdha ruse si “RosHidro” apo “GazpromNeft” shprehën interes për tregun shqiptar, si dhe u ruajt interesi për të nxitur bashkëpunimin dypalësh në fushën e turizmit, duke hequr regjimin e vizave shqiptare, për të katërtin vit rradhazi, për qytetarët rusë që dëshironin të vizitonin Shqipërinë gjatë periudhës së verës. Si ngjarje me rëndësi për tu shënuar në bashkëpunimin tonë dypalësh, nënvizoi Ambasadori Sokol Gjoka, ishte edhe krijimi, gjatë vitit 2012, i grupit parlamentar të miqësisë Rusi-Shqipëri si dhe emërimi i Konsullit të Nderit të Shqipërisë në rajonin e Leningradit dhe qytetin e St. Petersburgut. Të gjitha këto janë një bazë e mirë, vijoi Ambasadori shqiptar, për të nxitur bashkëpunimin dypalësh Shqipëri-Rusi edhe në vitin 2013, gjatë të cilit pritet të avancohet në rrugën e konsultimeve diplomatike në nivel të lartë, në rrugën e bashkëpunimit ndërparlamentar, të zhvillohet sesioni i radhës i komisionit të përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim tregtaro-ekonomik dhe tekniko-shkencor, të nxiten marrëdhëniet e binjakëzimit midis qyteteve të ndryshme shqiptare me ato ruse, të forcohet bashkëpunimi arsimor, kulturor, ai në fushën e turizmit etj. Fryt i bashkëpunimit dypalësh pritet të jetë gjatë këtij viti edhe lehtësimi i regjimit konsullor për qytetarët e të dy vendeve tona, deklaroi Ambasadori Gjoka.

Duke iu referuar disa çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe, veçanërisht, në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, trajtimin e çështjes shqiptare në rajon, të cilat kanë qenë pjesë e deklarimeve apo komenteve në mediat ruse, Ambasadori i RSH në FR u shpreh se Shqipëria e mbështet dialogun e hapur midis Kosovës dhe Serbisë në nivel të lartë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Shqipëria është për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura midis palëve në këtë dialog. Lidhur me çështjen e ashtuquajtur të “trafikimit të organeve”, Shqipëria ka mbështetur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar plotësisht me EULEX për të hetuar për të gjitha çështjet e ngritura në raportin e reporterit të KE-së, Dick Marty. Pala shqiptare e mbështet fort këtë hetim gjithëpërfshirës, për ta mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Kosovë e në Shqipëri janë kryer krime të tilla. Parlamenti shqiptar miratoi vitin e kaluar një ligj të posaçëm që lejon hetimet e EULEX në Shqipëri për këtë çështje. Shqipëria mendon se EULEX është i vetmi autoritet zyrtar që ka tagrin, aftësinë dhe kapacitetet e duhura për të hetuar lidhur me çështjet e ngrituara në raport, deklaroi Ambasadori shqiptar.

0Duke iu referuar largimit me forcë nga autoritet serbe të memorialit dedikuar dëshmorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, ç’ka solli edhe disa reagime të dënueshme në Kosovë, Ambasadori shqiptar deklaroi se ai ishte një akt i përdorimit të forcës së pushtetit qendror përkundrejt një veprimi të ligjshëm të autoriteteve vendore shqiptare. Krahasimet e luftëtarëve të UÇPMB-së me “terroristët” e “Al-Qaeda-s” janë sa cinike aq dhe të papranueshme, u shpreh Ambasadori Gjoka. Shqipëria është e interesuar për trajtimin e shqiptarëve në Serbinë e Jugut sipas standarteve të përparuara ndërkombëtare dhe demokratike. Mbështesim integrimin e plotë qytetar dhe të barabartë të shqiptarëve të kësaj zone në jetën dhe institucionet e shtetit të Serbisë, tha ai. Sa i takon dhunimit të disa varreve serbe apo dëmtimit të ndonjë kishe ortodokse në Kosovë, si rezultat i reaksionit zinxhir të veprimeve në Luginën e Preshevës, Ambasadori Gjoka u shpreh se Qeveria shqiptare, ashtu si dhe Qeveria e Kosovës dhe komuniteti nderkombëtar, i ka dënuar këto akte kriminale dhe ka kërkuar që autorët e tyre të përballen me drejtësinë. Qeveria shqiptare ka miratuar një fond të veçantë për riparimin e shpejtë të tyre, vuri në dukje, ndërmjet të tjerash në takimin e tij me gazetarët, Ambasadori i Shqipërisë në Rusi, Zoti Sokol Gjoka.