0Benedikti XVI u bë jo vetëm Kreu më i moshuar i Kishës Katolike. Ai i ka befasuar e habitur në mënyrë të përsëritur besimtarët katolikë me deklaratat e veta. Kështu, Pontifiku ka dënuar vazhdimisht homoseksualitetin, abortin dhe romanin e J. K. Rowling “Harry Potter”. Ai do të mbahet mend edhe për shprehjet e veta të therëse, të rrepta në adresë të myslimanëve dhe deklaratat në lidhje me personat e përfshirë në skandalet e pedofilisë.

Tani ekspertët po përpiqen të kuptojnë nëse vendimin për largimin nga froni ai e mori vullnetarisht apo nën presionin e ushtruar mbi të nga jashtë. Dhe në qoftë se është kjo arsyeja e fundit, atëherë Papës së ri do t’i duhet të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm, mendojnë ata.

Tani fronin e Kreut të Selisë së Shenjtë shumë ja kanë parashikuar ndonjërit prej kardinalëve nga Amerika Latine. Kjo logjikë është e lidhur me vetë faktin se më shumë se 40% e katolikëve jetojnë në këtë rajon. Megjithatë, gjysma e votave për të zgjedhur Papën e ri i takon klerikëve evropianë. Kurse kjo e komplikon shumë situatën. Kandidatët më të mundshëm, sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve, janë Arqipeshkvi i Dioqezës së Sao Paulo Odilo Scherer, Angelo Scola nga Milano dhe Kardinali me ngjyrë Peter Turkson nga Gana. Një nga kriteret kryesore të vlerësimit të pretendentëve - aftësia për të mbrojtur interesat e katolicizmit në botën bashkëkohore. Për Kishën e Krishtere perëndimore kjo është bërë aktualisht një çështje me të vërtetë nevralgjike, thekson ish-Ambasadori i Rusisë në Vatikan, Vjaçesllav Kostikov:

- Evropa tani është “përmbytur” nga islamistët. Dhe ata, sigurisht, ushtrojnë një ndikim të madh në botën e krishtere. Po si mund të ndalohet kjo? Pikërisht me zgjidhjen e këtij problemi do të duhet të merret në radhë të parë Papa që do të zgjidhet rishtas. Nga njëra anë ai nuk duhet të thellojë humnerën që ndan botën e krishtere dhe myslimane, ndërsa nga ana tjetër duhet të mbrojë megjithatë vlerat themeltare të krishtere të Evropës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut.

Përsa i përket politikave të brendshme të Papës të ri, duhet thënë, se Pontifiku i ardhshëm do të duhet të gjejë kompromise në lidhje me çështjet me të diskutueshme, thekson teologu José Manuel Vidal:

- Kisha Katolike po humbet autoritetin dhe përkrahjen e saj në mesin e të rinjve, ajo pothuajse e ka humbur Evropën. Në mënyrë që t’i rikthejë sërish njerëzit në katolicizëm, Papa i ri duhet të ndjekë një politikë krejtësisht të re në kushtet e reja aktuale. Unë mendoj se tani përpara Kishës Katolike shtrohen për zgjidhje imediate 2-3 çështje fort të ndjeshme. Një nga ato është çështja e grave, doktrina seksuale, problemi i mjeteve të kontracepsionit. Dhe të gjitha këto kërkojnë zgjidhje.

0Konklava për zgjedhjen e Papës së ri të Romës do të mblidhet më 24 mars në Vatikan. Se sa e gatshme do të jetë bota katolike për eksperimente, këtë do ta tregojë tymi i bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine.