0Tani për tani i vetmi ndikimi negativ i testit bërthamor të Koresë së Veriut u bë ulja e përkohshme, për gjysmë ore, e indeksit kryesor të Koresë së Jugut “KOSPI Composite Index” pothuajse me 10 pikë. Sipas mendimit të ekspertëve, rënia më drastike e indeksit u arrit të shmanget për shkak se tregu u njoftua paraprakisht mbi përgatitjen e testimit bërthamor. Ndërsa popullatës së Seulit, që ndodhet vetëm 40 kilometra nga kufiri me Republikën Popullore Demokratike të Koresë (RPDK), testi i koreanoveriorëve nuk i ka bërë ndonjë përshtypje të madhe. Për këtë dëshmon eksperti i njohur rus për Korenë, profesor i Universitetit Kunming të Seulit, Andrei Llanjkov:

- Atmosfera që mbretëron aktualisht në Seul është e po e tillë si pas provës së parë dhe të dytë bërthamore ose si pas lëshimit të raketave koreanoveriore - krejtësisht e qetë. Të gjitha këto punë raketoro-bërthamore nuk befasojnë dhe nuk interesojnë askënd në Seul. Këtu ekziston, në përgjithësi, bindja e thellë se të gjitha këto gjeste janë të drejtuara kryesisht kundër SHBA-së dhe jo kundër Koresë së Jugut. Prandaj ndonjë frikë e veçantë në Korenë e Jugut nuk ndihet as karshi Koresë së Veriut dhe as ndaj armëve bërthamore të saj. Seuli jeton me jetën e vet të përditshme normale. Disa orë pas shpërthimit unë i kalova në territorin e kampusit të një prej Universiteteve të Seulit dhe këtu flasin për gjithçka të mundur - në lidhje me provimet, rreth takimeve të dashurisë, mbi sportin... Kurse për bombat atomike verikoreane nuk kam vënë re të flitet fare. Zyrtarisht prova bërthamore e radhës do të dënohet në formë mjaft të rreptë verbale. Por megjithatë kjo nuk perceptohet si ndonjë çështje kritike, tejet e mprehtë që ka të bëjnë me të gjithë dhe secilin qytetar në veçanti. Ky test, po ashtu si dhe provat paraardhëse, nuk do të çojë në përkeqësimin e qëndrimit të koreanojugorëve ndaj Koresë së Veriut.

Kurse reagimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj provës bërthamore të RPDK-së është në mënyrë të parashikueshme tejet negativ. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ka shprehur shqetësimin e vet të thellë në lidhje me veprimet e Phenianit dhe deklaroi se Këshilli i Sigurimit do të reagojnë ashtu siç duhet ndaj veprimeve të Phenianit. Sipas fjalëve të Presidentit amerikan Barak Obama, programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut përbëjnë rrezik kërcënues për gjithë botën. Veprimet e Phenianit i kanë dënuar fuqishëm tashmë në Moskë, Londër, Pekin, Tokio dhe Seul.

0Në këto rrethana për Korenë e Veriut është me rëndësi jetike pozita e Kinës. Të martën diplomati kinez në selinë e OKB-së në Nju Jork deklaroi, se Koreja e Veriut me kryerjen e testeve të reja bërthamore ka injoruar "paralajmërimin e rreptë" të Kinës se ato do të çojnë në pasoja shumë të rënda për Phenianin. Sipas mendimit të përfaqësuesit kinez, tani Kina, Rusia dhe SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të merren vesh shumë shpejt midis tyre në lidhje me rreptësimin e qëndrimit ndaj Koresë së Veriut. "Ajo që bëri Koreja e Veriut tani është një sfidë e madhe për kinezët", theksoi ai.