0Rem Vjahiriev u lind në vitin 1934 në një familje mësuesish. Në vitin 1956 ai u diplomua në Institutin Industrial të Kuibishevit në specialitetin "Zhvillimi i vendburimeve të naftës dhe gazit". Në vitin 1983 ai u bë Zëvendës i Ministrit të Industrisë së Gazit të Bashkimit Sovjetik, Viktor Çernomirdin-it. Pikërisht ata dhe propozuan variantin e ristrukturimit të industrisë së gazit. Si rezultat u krijua kompania "Gazprom" në formën e saj aktuale, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurisë Energjetike Kombëtare, Konstantin Simonov:

- Vjahiriev dhe Çernomirdin në fillim të viteve ‘90-të propozuan modelin e zhvillimit të industrisë ruse të gazit, i cili dallohej në mënyrë të qenësishme nga modeli i zhvillimit të industrisë së naftës. Rem Vjahiriev arriti të ruajë gjatë kësaj kompleksin unik prodhues - edhe nxjerrjen, edhe transportimin, edhe shitjen e gazit. Sepse pikërisht kjo ishte në thelb shumë e rëndësishme dhe me rëndësi principiale.

Në vitin 1992 Rem Vjahiriev zuri postin e Kreut të kompanisë “Gazprom”. Gjatë drejtimit të tij ndodhi aksionimi (angl. auctioning) i gjigandit rus të gazit. Në kohën e menaxhimit të tij marrëdhëniet e koncernit rus me konsumatorët europianë janë ndërtuar mbi bazë të parimit të rreptë "merr ose paguaj” (angl. “take or pay”). Në periudhën e drejtimit të tij u konceptuan projektet e tubacioneve "Nord Stream" (“Rryma Veriore”) dhe "South Stream" (“Rryma Jugore”), kujton Presidenti i Bashkimit të industrialistëve të naftës dhe gazit të Rusisë, Gennadi Shmal:

- Rem Vjahiriev ishte një inxhinier i madh, i mrekullueshëm, një njeri i vendosur, i cili shpesh herë merrte, ndoshta, dhe vendime të rrezikshme. Por, siç dëshmoi praktika e mëtejshme, zgjidhjet e tij dolën krejtësisht të arsyeshme, të justifikuara. Prandaj, në shumë gjëra, industria jonë e gazit i detyrohet atij për zhvillimin e vet aktiv në vitet ’90-të. Pikërisht kjo degë e industrisë kombëtare u bë atëhere donatorja kryesore e ekonomisë sonë. Unë jam i prirur të besoj se merita e madhe në atë, që ekonomia ruse i shpëtoi atëhere për mrekulli shembjes, i takon pa diskutim Rem Vjahiriev-it.

“Gazprom” për Vjahiriev-in u bë me të vërtetë kauzë e jetës, kurse suksesin ai e arriti falë kombinimit të habitshëm, madje të mrekullueshëm, duhet thënë, të vetive personale dhe cilësive profesionale, shprehet me bindje të plotë ish Sekretari i shtypit i Rem Vjahiriev-it, Dimitri Dunkin:

- Është e pamundur të veçohen vetitë e tij personale nga aftësitë profesionale. Po, vërtetë, ai i donte shumë dhe me përkushtim fëmijët, nipërit e mbesat e veta, por megjithatë nga mëngjesi deri në darkë unë e shihja atë në punë - madje dhe të shtunave e të dielave. Ai i ishte dedikuar me mish e me shpirt punës. Ky, ndoshta, ishte tipari kryesor që e karakterizonte atë.

Nga posti i Kreut të “Gazprom” Rem Vjahiriev largua në vitin 2001. Nuk qëndroi Vjahiriev as në sferën e politikës. Dimitri Dunkin kujton si vijon:

- 10 vitet e fundit të jetës së tij Rem Vjahiriev i kaloi në vilën e vet jashtë Moskës (në daçë), ku iu përkushtua tërësisht ekonomisë bujqësore. Sa lloje shpendësh mbante ai në shtëpi! Midis tyre kishte edhe zogj të rrallë: fazanë, thëllëza. Lidhja e fortë me tokën ishte karakteristike për të, ndërsa punët bujqësore e tërhiqnin pa masë atë. Ai nuk ishte i dhënë pas koleksionimit të makinave, jahteve, si shumë persona të tjerë fort të pasur. Rem Vjahiriev-in e joshte shumë puna në tokën ruse.

0Rem Vjahiriev do të varroset më 13 shkurt në varrezat Vostrjakovskoje të kryeqytetit rus.