0Në prill të këtij viti Papa Benedikti XVI do të mbushë 86 vjeç. Vetë Pontifiku e ka shpjeguar arsyen e largimit të tij nga froni me lodhjen dhe mungesën e fuqisë fizike. Për klerin e Selisë së Shenjtë vendimi i Papës ishte krejtësisht i papritur, tha në një intervistë me Radiostacionin "Zëri i Rusisë" eksperti rus për Vatikanin Aleksei Bukalov:

- Askush në Vatikan nuk e ka pritur një gjë të tillë, pavarësisht faktit se Papa në bazë të rregullave kanonike ka të drejtë të japë dorëheqjen. Në mesjetë ka patur raste të ngjashme, kur Pontifikët kanë shkuar në manastir. Por në kohët moderne Pontifikimi është perceptuar gjithmonë si post i përjetshëm.

Disa ekspertë besojnë se arsyeja për heqjen dorë nga froni të Kreut të Kishës Romake nuk është shëndeti i Benediktit XVI, por ato skandale që njëri pas tjetrit kanë tronditur kohët e fundit Selinë e Shenjtë. Këtu mund të përmendet gjithçka e lidhur me priftërinjtë pedofilë si dhe me luftën brenda përbrenda vetë Kurisë Romake. Vërtetë, teologu Aleksei Judin është mëse i bindur se shkaku i largimit të Pontifikut konsiston në diçka tjetër:

- Niveli i skandaleve të sipërpërmendura nuk ishte fort i lartë. Ai mund të arrijë deri në atë të klanit të kardinalit apo në nivelin e menaxhimit shtetëror të qytetit të Vatikanit, por jo më shumë se kaq. Fakti, që këto skandale mund të preknin drejtpërsëdrejti Papën, është jashtëzakonisht i vështirë të imagjinohet.

Por një tjetër ekspert rus i lëmit të studimit të feve Juri Tabak, përkundrazi, është mëse i bindur se arsyeja e largimit të Benediktit XVI mund të jetë gjithçka tjetër përveç gjendjes shëndetësore të tij.

- Mbajtja e fronit të Shën Pjetrit është një detyrë fort e rëndësishme dhe mjaft e nderuar dhe nga ky pushtet, po ashtu si dhe në botën laike, pakkush mund të heqë dorë vullnetarisht. Prandaj, natyrisht, është shumë e vështirë për t'iu përgjigjur pyetjes se përse po e lë fronin Benedikti XVI - vërtetë për arsye shëndetësore apo për shkak të veçorive të ndodhjes së tij në fron. Nuk mund të thuhet se koha e Pontifikatit të tij ishte e qetë dhe krejtësisht pa re. Ndoshta vendimi për dorëheqjen nga froni mund të jetë edhe rezultat i presionit që ushtrohet mbi të nga ana e kardinalëve, midis të cilëve ai nuk gëzon ndonjë popullaritet të madh.

Juri Tabak është i sigurt se së shpejti Vatikanin e pret lufta e prapaskenave të errëta. Sepse ndonjë kandidat karizmatik, të përshtatshëm për fronin romak, aktualisht nuk ka, vazhdon eksperti:

- Aktualisht një nga pretendentët më realë, ndoshta, mund të quhet vetëm Kardinali Kurt Koch, i cili është President i Këshillit Papnor për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve. Por kandidatë të dukshëm për postin e Papës nuk ka. Më tepër ekzistojnë grupe të ndryshme kardinalësh, të cilët dallohen për nivelin më të lartë apo më të ulët të konservatizmit të tyre. Pikërisht në mesin e tyre dhe do të zhvillohet lufta kryesore për emërimin e kandidatit të vet. Dhe po atëhere do të përcaktohet drejtimi i zhvillimit të ardhshëm të Kishës Katolike Romake.

0Konklava papale e Kardinalëve do të mblidhet në mars. Në të dhe do të zgjidhet Pontifiku i ri i Kishës Katolike Romake.