Kryeministri serb nuk përjashtoi mundësinë e gjurmës së “Al-Qaeda” në ngjarjet në Kosovë:

- Sigurisht, “Al-Qaeda” ka ndihmuar në mënyrë mjaft aktive muxhahidët në Bosnjë. Atje ata veprojnë pothuajse haptazi. Unë nuk e përjashtoj mundësinë e prezenzës së “Al-Qaeda” edhe në Kosovë, por nën maskën e organizatave të ndryshme fetare dhe humanitare. Bota duhet të mendohet mirë për këtë: nga njëra anë amerikanët janë duke luftuar kundër terrorizmit islamik në mbarë botën, kurse nga ana tjetër nuk shohim se çfarë po bëjnë ata në Kosovë. Kështu që Kosova po shndërrohet gradualisht në një qendër të terrorizmit të organizuar dhe global.

Po cili është atëherë, sipas mendimit të Koshtunicës, qëllimi kryesor i shqiptarëve të Kosovës? Kryeministri asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim:

- Tani nuk ka asnjë politikan shqiptar që të mund të pranojë hapur para BE-së se qëllimi kryesor i tyre është - një krahinë etnikisht e pastër dhe shteti i pavarur i Kosovës. Në fakt, ata po synojnë arritjen e këtij qëllimi me të gjitha mjetet e mundshme. Dhe 17 marsi i vitit 2004 zhdavariti mjegullën e mitit, përrallës mbi Kosovën multietnike. Ky ishte një mashtrim i madh i komunitetit botëror. Tani duhet vrarë mendja për të kuptuar se pse shqiptarët e Kosovës nuk mund të jetojnë në paqe me popujt e tjerë të rajonit. Sigurisht, është e vështirë për të folur mbi dashurinë për njëri-tjetrin, por më e rëndësishmja është që të mos ketë tek ata urrejtje dhe dëshirë për të shkatërruar gjithçka që është e lidhur me Ortodoksinë dhe serbët.

Si e vlerësoni Ju deklaratën e Vladimir Putinit për situatën në Kosovë, e cila është bërë menjëherë pas ngjarjeve tragjike të 17 marsit të vitit 2004 në rajon?

- Putin pas ngjarjeve të 17 marsit bëri një deklaratë të qartë dhe eksplicite për Kosovën, duke e cilësuar atë që po ndodh atje spastrim etnik. Menjëherë pas kësaj ne kemi marrë një ndihmë humanitare tejet të rëndësishme nga Rusia. Dhe ne të gjithë e vlerësuam sipas meritës këtë gjest.

0Është shumë i rëndësishëm fakti që kur unë u zgjodha në postin e Kryeministrit të Serbisë, kam marrë nga Vladimir Putin jo vetëm urime, por edhe një letër të rëndësishme, në të cilën Presidenti i Rusisë i kishte bërë një analizë të detajuar situatës në Kosovë. Kjo ishte një analizë e qartë e gjendjes së vërtetë të punëve në rajon. Të gjitha vlerësimet, që kanë ardhur pas 17 marsit nga ana e NATO-s dhe vendeve perëndimore, nuk do të thonë asgjë.