0"Pranvera arabe", e cila erdhi në Egjipt dy vjet më parë, çoi në përmbysjen e Presidentit Hosni Mubarak. Megjithatë situata në vend vazhdon të mbetet në rrugë qorre. Protestat nuk po rreshtin, kurse zgjedhjet e ardhshme për dhomën e ulët të parlamentit mund të bëhen një faktor tjetër provokues, acarues, mendon Ambasadori i Rusisë në Egjipt, Sergei Kirpiçenko:

- Aktualisht situata nuk është aspak e favorshme për mbajtjen e tyre. Në vend po vazhdojnë trazirat, çrregullimet masive. Evidentohet një përçarje e thellë në shoqëri. Unë jam i mendimit se udhëheqja e Egjiptit do të dijë t’i përballojë këto dukuri dhe të gjejë një qasje të re ndaj zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që ato të mund të sjellin rezultate të ndjeshme, të afta të stabilizojnë situatën dhe të konsolidojnë shoqërinë.

Nuk ushtroi ndonjë ndikim pajtues në situatën në vend as Kushtetuta e re. Presidenti Mohammed Mursi, padyshim, ka marrë kursin për islamizimin e madh të vendit. Por kjo politikë nuk është iniciuar as nga Mursi dhe as nga revolucioni i janarit të vitit 2011, tha Sergei Kirpiçenko:

- Islamizimi ka nisur de facto në Egjipt që shumë kohë më parë, në periudhën e drejtimit të Presidentit Sadat (Anwar El Sadat - Presidenti i Egjiptit në vitet 1970-1981). Pikërisht atëherë filloi islamizimi, kur autoritetet nisën të flirtojnë me "Vëllazërinë Myslimane" dhe forcat e tjera politike islamiste në vend. Ndërsa rezultat i revolucionit u bë ardhja në pushtet e këtyre forcave. Unë nuk mendoj se ekziston rreziku kërcënues i islamizimit total të Egjiptit. Sepse jo të gjithë janë dakord me këtë proces. Prandaj, ka shumë të ngjarë, të gjendet një kompromis midis qeverisë dhe opozitës.

Tani për tani nuk ka kurrfarë arsyesh për të folur mbi islamizimin masiv në këtë vend, tha diplomati. Megjithatë në këtë rast lindin natyrshëm pyetjet: A do të ushtrojë vallë ndikim politika e re në industrinë e turizmit? Do të vendosen rregulla të reja për pushuesit në resortet e këtij vendi? Sergei Kirpiçenko u përgjigj si vijon: “Pala ruse u sigurua nga autoritetet e vendit se vendpushimet egjiptiane do të mbeten të tilla, siç i duan ato qindra e mijëra turistë rusë:

- Autoritetet e reja kanë konfirmuar në mënyrë të përsëritur se ato janë të interesuara në ruajtjen dhe zhvillimin e industrisë së turizmit, veçanërisht në lidhje me Rusinë. Rusia është vendi № 1 përkatësisht turistëve të huaj që vijnë për pushime në Egjipt. Në Kajro e dinë këtë për mrekulli, e vlerësojnë dhe përpiqen të bëjë gjithçka për t’i bërë turistët tanë të ndjehen sa më rehat këtu.

0Ndërkaq, mbi stabilizimin e shpejtë të situatës në Egjipt as që mund të bëhet fare fjalë. Ajo që po ndodh në vend, sipas mendimit të diplomatit rus, mund të quhet si proces kalimtar, ashtu dhe krizë e tejzgjatur.