0Franca shpreson për një bashkëpunim të ngushtë me Rusinë në kuadër të presidencës aktuale të saj në "G-20", deklaroi Zëdhënësi i Kuvendit Kombëtar të Francës, Claude Bartolon. "Ne do të dëshironim që kjo presidencë të ishte premtuese, perspektive, veçanërisht në lidhje me rritjen ekonomike, rregullimin e funksionimit të sferës financiare, luftën kundër korrupsionit si dhe aspektet sociale të globalizimit", - tha Claude Bartolon. Ai vuri në dukje gjithashtu se Franca mban një qëndrim pozitiv ndaj çështjes së heqjes së barrierave të vizave mes BE-së dhe Rusisë. "Ne duhet të bindim partnerët tanë evropianë se erdhi koha për të ulur barrierat që qëndrojnë në rrugën e lëvizjes së lirë të njerëzve në të gjithë Evropën" - tha parlamentari francez.

Vizita e delegacionit të Dumës Shtetërore të Rusisë në Paris përfundoi pikërisht me mbledhjen e të ashtuquajturit Komision i Madh ndërparlamentar ruso-francez, në të cilën u prekën, ndër të tjera, edhe çështje të natyrës politike, të tilla si ajo e vizave.

Duke iu referuar edhe një problemi tjetër mjaft serioz, Sergei Narrishkin theksoi se Rusia do të jetë e detyruar t’i kundërpërgjigjet vendosjes në Evropë të elementeve të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket (MAR).

- Rusia ka arritur të ndërtojë një bashkëveprim konstruktiv me të gjithë partnerët e vet kryesorë ndërkombëtarë. Por, për shembull, me NATO-n mbeten ende momente mjaft të komplikuara. Dhe problemi kryesor më i vështirë është dallimi themelor, principial në qasjet e palëve ndaj krijimit të sistemit rajonal të mbrojtjes antiraket në kontinentin evropian. Neve na duhen garanci jo me fjalë që sistemi i MAR nuk drejtohet kundër Rusisë. Nëse partnerët tanë amerikanë do të marrin vendimin përkatës dhe do të dislokojnë megjithatë elementet e këtij sistemi në Evropë, ne nuk mund të rrimë duarkryq. Por kjo nuk do të jetë zgjedhja jonë.

Siç vuri në dukje Zëdhënësi i Dumës Shtetërore, në SHBA tani për tani vetëm gojarisht deklarojnë se sistemi i mbrojtjes antiraket nuk drejtohet kundër Rusisë. Ndërsa në realitet refuzojnë të përpunojnë dhe të nënshkruajnë marrëveshjen ligjërisht detyruese përkatëse. Kështu që Moskës i lindin me plot të drejtë dyshime të argumentuara. "Ne e kuptojmë për mrekulli se në një sistem global të përbërë nga dy komponentë - forcat e frenimit bërthamor dhe sistemi global i mbrojtjes antiraket - siguria mund të jetë vetëm e barabartë dhe e pandashme për të gjithë", - shtoi Sergei Narrishkin.

0Në vazhdim të shtjellimit të temës së politikës ndërkombëtare Zëdhënësi i Dumës Shtetërore ruse njoftoi, se shpreson shumë në veprimet e përbashkëta të Rusisë dhe Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për zgjidhjen e çështjes së vendosjes së forcave ndërkombëtare në Mali. Sipas fjalëve të Sergei Narrishkin, Rusia mbështet përpjekjet e Francës për ruajtjen e integritetit territorial të këtij shteti afrikan: "Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për situatën dramatike në këtë vend. Në kohën e vet Rusia u përballua vetë mjaft seriozisht me problemin e terrorizmit".