0Juri Kaljuta e cilësojnë si njërin nga piktorët më origjinalë të Shën Petersburgut të ditëve tona. Në krijimtarinë e vet ai gërsheton në mënyrë mjaft të organike traditat e shkollës akademike dhe kombinimet e guximshme, ekspresive e kontrastuese karakteristike për pikturën dekorative, duke i dhënë preferencë gjatë kësaj akcenteve koloristike emocionale. Ekspozita e tij që u hap tani në Moskë quhet "Kuq e Zi", ndërkohë që ngjyra e zezë shërben vetëm si sfond unifikues për njollat me ngjyra të pasura, fort të larmishme e të spikatura në kanavacë dhe e bën veprën të plotë e dinjitoze.

Artisti punon me një gamë lakonike ngjyrash, por një zgjedhje e tillë nuk e varfëron kurrsesi krijimtarinë e tij. Në pikturën plot temperament të artistit vërehet qartë ndikimi i klasikëve të artit rus - Mikhail Vrubel, Valentin Serov, Kuzma Petrov-Vodkin. Duke përdorur në mënyrë aktive përvojën e artistëve të mëdhenj të së kaluarës, Juri Kaljuta ka krijuar stilin e tij tashmë të njohur të pikturës. Megjithatë ai beson se "arti i vërtetë realist është përherë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të formave të reja, vetëm se ky kërkim nuk duhet të jetë qëllim në vetvete ...".

Në ekspozitën e hapur në sallat e Akademisë së Arteve të Bukura janë paraqitur rreth njëqind piktura dhe vizatime grafike nga studio e artistit si dhe koleksionet private. Vjeshtën e kaluar projekti tashmë u ekspozua në Muzeun Shtetëror rus dhe u prit ngrohtësisht nga publiku e kritikët.

Juri Kaljuta punon në shumë zhanre, por është veçanërisht i dhënë pas portreteve. Kaljuta nuk e fsheh pasionin, adhurimin e tij për krijimtarinë e piktorit të famshëm rumun Corneliu Baba, i cili ka punuar në traditat e realizmit që e marrin fillesën e vet në teknikën e mjeshtrave të hershëm. Veprat e Corneliu Baba, të para 20 vjet të shkuara, i kanë lënë një përshtypje të pashlyeshme në mendje atij dhe që nga ajo kohë, sipas fjalëve të Juri Kaljuta, ato i rrinë ndër sy. Piktori Kaljuta vlerëson në mënyrë të veçantë "qëndrimin e kujdesshëm, tejet të vemendshëm ndaj njeriut si dhe karakteristikat e padiskutueshme novatore që ka atribuar çdonjëri prej autorëve të sipërpërmendur në zhvillimin e artit të portretit". Artisti kërkon të përcjellë jo vetëm pamjen e jashtme të modelit, por i kushton një vëmendje të madhe edhe të botës shpirtërore të personit të portretizuar.

0Ekspertët e quajnë Juri Kaljuta mjeshtër të afirmuar të penelit dhe thonë se ai ka arritur ta gjejë rrugën e tij në art. Piktori rus, Nënpresidenti i Akademisë ruse të Arteve të Bukura, Profesor Efrem Zverkov ka theksuar se Kaljuta "e sheh botën që e rrethon në mënyrë aktive, dinamike dhe shumë individuale. Juri Kaljuta është një artist mendjethellë me një potencial të lartë krijues".