0Ora Olimpike është instaluar mu në zemër të Moskës - në Sheshin Manezh. Për të parë lansimin e saj atje erdhën qindra njerëz. Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm sportistë të njohur, midis të cilëve kampionia e dyfishtë Olimpike Svetllana Horkina (Svetlana Khorkina) dhe kampionia e Lojrave Paralimpike të vitit 2008 dhe 2012, Ambasadorja e "Soçi-2014" Olesia Vlladikina (Olesya Vladykina). Jo larg orës organizatorët vendosën një kub të madh. Gjithkush që dëshiron mund të shkruajë në të urimet e veta adresuar sportistëve të Olimpiadës.

Përgatitja për Lojrat Olimpike të vitit 2014 është e një rëndësie të veçantë për Moskën - në të kaluarën gjithashtu zonjë shtëpie e Olimpiadës, - tha Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobianin:

- Moska është qyteti i parë olimpik i Rusisë, Moska është qytet i traditave të mëdha sportive. Moskës i pëlqen të merret me sport dhe Moska di të fitojë në garat sportive. 600 sportistë olimpikë, të cilët kanë fituar dekorata të larta, sot jetojnë në mesin e moskovitëve. Moska ka një përvojë të gjerë në organizimin e kampionateve të mëdha botërore dhe prandaj mijëra vullnetarë shprehen të gatshëm për të shkuar në Soçi, për të ndihmuar në përgatitjen e Lojrave Olimpike.

Ora Olimpike u instalua gjatë një jave të tërë në kushte fshehtësie të plotë. Lartësia e saj është gati 6 metra, kurse pesha rreth tetë ton. Tradita e vendosjes së orës në vendet më të rëndësishme të shteteve pritëse të Olimpiadave e merr zanafillën e vet në vitet ‘30 të shekullit të kaluar. Që nga ajo kohë kompania zvicerane Omega bashkëpunon me kryeqytetet olimpike, duke zhvilluar për secilin prej tyre një dizajn individual. Kësaj here krijuesit dëshiruan të mishërojnë në veprën e vet frymën e dinamikës dhe kontrasteve, e cila është karakteristike dhe krejtësisht e natyrshme për kryeqytetin e Lojrave të XXII Dimërore - me Detin e Zi dhe kreshtat malore kësulëbardha, vapën dhe të ftohtit.

Në ceremoninë solemne të lansimit të numërimit mbrapsh të orës Olimpike në Moskë mbretëroi një atmosferë e mrekullushme euforie të përgjithshme. Të pranishmit i treguan korrespondentit të Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" pse erdhën ata që në mëngjes herët, në ditë punë, në qendër të qytetit.

- Për të mbështetur sportistët e Olimpiadës.

- Për të parë ceremoninë. Për të mbështetur të gjithë sportistët, spektatorët, tifozët. Ne të gjithë do të bëjmë tifozllëk me gjithë shpirt për Rusinë!

- Më kërkon shpirti atmosferë festive. Tani është periudhë dimri, bën mot i ftohtë, bie vazhdimisht dëborë. Të gjitha këto të krijojnë një mërzi të trishtueshme. Kurse këtu në qendër të Moskës u organizua një festë e vërtetë. Rusia do të fitojë!

- Unë kam ardhur posaçërisht nga Gjermania për të mbështetur sportistët tanë të ardhshëm olimpikë.

0Meqë ra fjala, kohën që ka mbetur deri në momentin e fillimit të Olimpiadës Dimërore, sot filluan ta numërojnë edhe në disa qytete të tjera ruse: në Shën Petersburg, Nizhni Novgorod, në Rostov mbi Don, Ekaterinburg, Novosibirsk, Habarovsk dhe Pjatigorsk. Kurse në kryeqytetin e Lojrave Olimpike Dimërore - Soçi - numërimi mbrapsh i orës Olimpike filloi 1.000 ditë para startimit të këtij evenimenti sportiv.