Çiklisti amerikan Lance Armstrong, i privuar nga të gjithë titujt për përdorim të dopingut, ka refuzuar të kthejë mbrapsht 12 milionë $ të përfituara nga fitoret e tij në "Tour de France".

Armstrong e ka fituar garën çiklistike shtatë herë rresht nga viti 1999-2005. Megjithatë në tetor të vitit 2012 atij iu mohuan të gjithë titujt pas raportit të Agjencisë Antidoping të SHBA-së, në të cilin konfirmohej se Armstrong gjatë gjithë karrierës së vet ka përdorur preparate të ndaluara.

Pas kësaj Kreu i Komitetit organizativ të garës çiklistike shumëditore, Christian Prudhomme, deklaroi se çiklisti duhet të kthejë të gjitha paratë që ai ka marrë si çmim. Avokati i Armstrong deklaroi se atletët e skualifikuar nuk i kthejnë kurrë çmimet e tyre.