Faqja koreano-veriore e Internetit Uriminzokkiri publikoi një video propagandistike, ku, ndër të tjera, tregohen pasojat e një sulmi raketor mbi një megapolis amerikan.

Video-klipi paraqet një djalë të ri, i cili ndodhet në bordin e një anije kozmike koreane dhe fluturon rreth Tokës. Heroi vëzhgon vende të ndryshme nga kozmosi. Në veçanti, ai sheh koreanë të qeshur, të gëzuar. Sipas të gjitha gjasave fjalë bëhet për bashkimin e Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut.

Ai pastaj lëviz në drejtim të SHBA-së, ku shfaqen rrënojat e një qyteti të madh, rrokaqiej që digjen dhe shtëllunga të zeza tymi. Një mbishkrim specifikon se po digjet "foleja e shthurjes".