Fëmija 5-vjeçar, të cilin një burrë i armatosur e mbajti peng për një javë në një bunker në shtetin amerikan të Alabama-s, u lirua si rezultat i një inkursioni të befasishëm.

Agjentët e FBI-së hynë në bunker pasi u bë e qartë se fëmijën e kërcënonte rreziku i pashmangshëm. Sipas njoftimeve të autoriteteve, fëmija nuk ka pësuar lëndime të dukshme dhe aktualisht po i nënshtrohet një kontrolli mjekësor në spitalin lokal. Jimmy Lee Dykes, i cili me sa duket e mbajti peng djalin, u vra.

Sipas të dhënave paraprake, Dykes më 29 janar sulmoi një autobus shkolle, qëlloi për vdekje shoferin, rrëmbeu djalin 5-vjeçar dhe u fsheh në një bunker të improvizuar pranë shtëpisë së tij.