0Zëvendësi i parë i Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës Gjeografike Ruse, Dimitri Polikanov, në një intervistë me Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” tregoi mbi ekspeditat e ardhshme dhe pikësynimet e tyre.

Projekti më ambicioz i Shoqërisë Gjeografike Ruse për këtë vit do të jetë ekspedita vullnetare e radhës në Tuva-në siberiane. Në një kohë të afërt atje do të shtrohet një seksion rruge hekurudhore deri në një rajon tjetër të madh siberian - në krahinën e Krasnojarskut. Por, që para fillimit të ndërtimit të hekurudhës, shkencëtarët dhe vullnetarët nga 28 vende të botës do të eksplorojnë të gjitha kodërvarret (arkeol. tumul) dhe vendbanimet e lashta. Ato që kanë vlera arkeologjike dhe historike do të ruhen. Për këtë qëllim madje mund të ndryshohet edhe itinerari i autostradës së re. Gjatë ekspeditës së parë, e cila u zhvillua vitin e kaluar, shkencëtarët kanë arritur të gjejnë atje mbetje të qytetërimeve të lashta, tregon Zëvendës Drejtori i parë Ekzekutiv i Shoqërisë Gjeografike Ruse, Dimitri Polikanov:

- Në atë vend ndodhet një numër i madh kodërvarresh të vendosura përgjatë linjës hekurudhore, e cila planifikohet të ndërtohet atje në të ardhmen. Në këto kodërvarre (tumula) ndodhet trashëgimia e Skifëve (angl. Scythians). Kjo ekspeditë ka dëshmuar edhe njëherë se ata kanë jetuar në këtë territor. Detyra jonë është gjetja e arit të Skifëve.

Vullnetarët janë përfshirë edhe në projekte të tjera. Për shembull, në Tokën e Franz Josefit në Arktik ata së bashku me shkencëtarët po pastrojnë territorin e ish-bazës ushtarake sovjetike. Ushtarakët u larguan prej andej në fillim të viteve ’90-të. Fuçitë e ndryshkura dhe madje konstruksionet prej betoni transportohen prej andej në pjesën kontinentale të vendit për utilizim. Tani gjëja kryesore është rivendosja e natyrës unikale të arkipelagut. Sepse atje, po ashtu si dhe në Ishujt e Novosibirskut, janë ruajtur eshtrat e kafshëve të lashta, duke përfshirë edhe skeletet e mamuthëve. Në planet e Shoqërisë Gjeografike Ruse përfshihet vazhdimi i studimit të këtyre ishujve më të largët veriorë.

Njolla të bardha në hartën e Rusisë po mbeten gjithnjë e më pak. Megjithatë ato mjaftojnë edhe për disa dhjetëra vite hulumtimesh, shprehet me bindje të plotë Dimitri Polikanov:

- Vendi ynë përtej zonës së Uraleve është i eksploruar ende shumë dobët. Vetëm pak kohë më parë kolegët tanë nga Zyra rajonale e Sakhalinit kanë zbuluar disa objekte të reja në oqean, në afërsi të Ishujve Kurile: disa ngushtica, një rrip (gjuhë) toke, një shkëmb dhe madje një ishull të tërë.

0Një vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së liqenit Baikal - liqenit më të madh të ujërave të ëmbla në botë. Shkencëtarët rusë së bashku me kolegët e tyre nga Kina dhe Mongolia janë duke studiuar burimet e ndotjes së lumenjve ndërkufitarë për të ndaluar rrjedhjen në liqenin e Baikalit të ujërave të ndotura nga ndërmarrjet industriale. Përpara tyre shtrohet detyra jo thjesht për të studiuar florën dhe faunën e zonave tejet të largëta, por edhe për t’u siguruar se interesat e biznesit nuk dëmtojnë mjedisin.