Rusia ka më tepër gjasa të diskutojë lehtësimin e kushteve të kredisë së dhënë më parë Qipros, se sa t'i japë një kredi të re, por në çdo rast, problemet e këtij vendi nuk mund të zgjidhen kurrsesi pa mbështetjen nga ana e BE-së, deklaroi Ministri i Financave i Rusisë, Anton Siluanov.

Në vitin 2011 Rusia i dha Qipros një kredi prej 2.5 miliardë euro për një periudhë 4.5 vjeçare me një interes relativisht të ulët - 4.5% në vit. Qiproja kërkon shtyrjen e pagesave të kredisë për pesë vjet. Përveç kësaj, në verën e vitit 2012 Qiproja iu drejtua Rusisë për një kredi të re, tashmë prej 5 miliardë eurosh.

0Qiproja, e cila po përballet aktualisht me krizën financiare dhe buxhetore, u detyrua gjithashtu të kërkojë ndihmë nga BE-ja dhe FMN-ja. Negociatat për mbështetjen financiare prej rreth 17 miliardë eurosh janë në zhvillim e sipër që verën e vitit të kaluar.