0Më 17 shkurt të vitit 1993 koncerni shtetëror i gazit "Gazprom" u transformua në Shoqërinë aksionare ruse me të njëjtin emër. Kurse vetë koncerni shtetëror e merr origjinën nga Ministria sovjetike e Industrisë së Gazit. Pikërisht ai në fillim të viteve 1980 filloi të punojë me gjigandët evropianë të gazit dhe të ndërtojë sistemin e eksportit të lëndës hidrokarbure. Por maksimalisht efektiv ky bashkëpunim u bë në fillim të shekullit të 21-të. Në vitin 2011 u lansua puna e tubacionit "Nord Stream" (“Rryma Veriore”), i cili lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë Rusinë dhe Gjermaninë. Një vit më vonë u vu në funksionim dega e dytë e tij dhe filloi ndërtimi i gazsjellësit "South Stream" (“Rryma Jugore”).

Pavarësisht nga fakti se Evropa ndodhet në përpjekje të vazhdueshme për optimizimin e shpenzimeve të veta për lëndët e para, në kërkim të burimeve të reja të energjisë, pozitat e koncernit rus “Gazprom” në rajon janë mjaft të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, “Gazprom” vlerëson jo vetëm stabilitetin, por bën investime të qenësishme edhe në zhvillimin e vet të mëtejshëm. Ai dëshiron të përvetësojë e të zhvillojë vendburime të reja, të aplikojë teknologji të reja, por për arritjen e këtij qëllimi ai ka nevojë edhe për konsumatorë, mendon Kryetari i Bashkimit të Industrialistëve të naftës dhe gazit të Rusisë, Gennadi Shmal:

- Ne jemi të interesuar që të kemi kontrata mjaft të mëdha, afatgjata për furnizimin e gazit tonë rus. Atëherë ne do të mund të mendonim më seriozisht për rritjen e ndjeshme të kapaciteteve të prodhimit. Sepse industria e gazit është një degë me inerci të madhe dhe ne nuk mund të llogarisim realizimin e projekteve për një periudhë kohore afatshkurtër, të themi 1-2 vjeçare. Ne kemi nevojë për projekte të tilla që të funksionojnë për 15-20 vjet. Domethënë ne kemi nevojë për kontrata afatgjata të furnizimit të gazit.

Nëse për kompaninë ruse tregu evropian do të bëhet një hapësirë e kufizuar për realizimin në masë të plotë të potencialit të saj, ajo mund të zhvendoset në Lindje. Në këtë rajon “Gazprom” do të ketë edhe vendburime të reja, edhe konsumatorë të renj, thotë analisti rus Vitali Krjukov:

- Rajonet e prodhimit të gazit të kompanisë ruse do të ndryshojnë gradualisht dhe ajo do të zgjerojë veprimtarinë e saj në territore të reja: këto janë Siberia Lindore, Gadishulli i Jamalit (Yamal), shelfet detare. Të gjitha këto janë projekte me kapitale shumë më intensive se në Siberinë Perëndimore dhe kërkojnë tregje të reja dhe klientë të rinj të gazit. Sot në Azi çmimet e kësaj lënde hidrokarbure janë mbi 600 $ për 1 mijë metra kub, ndërsa në tregun evropian këto shifra, si rregull, janë përgjithësisht nën 400 $ për një mijë metra kub gaz. Prandaj këtu zgjedhja është fare e qartë dhe kompania “Gazprom” do të investojë kryesisht në realizimin e projekteve të reja, në ndërtimin e tubacioneve të reja, të orientuara drejt tregut aziatik.

0Projekti kryesor në sektorin evropian për kompaninë “Gazprom” mbetet gazsjellësi “South Stream” ("Rryma Jugore"), i cili duhet të ndërtohet dhe të vihet në shfrytëzim deri në vitin 2015. Projektet e mëdha kryesore aziatike për të janë tubacionet e gazit "Altai" dhe "Sakhalin-Khabarovsk-Vladivostok", të cilët do të lidhin “Gazprom-in” me Kinën, kurse më pas me Indinë dhe Korenë e Jugut.