Shtetet e Bashkuara kërkojnë me ngulm që Rusia të marrë masa konkrete për heqjen dorë nga mbështetja për Presidentin sirian Bashar Al-Assad, deklaroi të hënën në një konferencë për shtyp Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit amerikan, Victoria Nuland.

"Rusia mund të ndalojë në mënyrë të vendosur dhe haptazi furnizimin me armatime ruse të regjimit të Bashar al-Assad, veçanërisht me helikopterë luftarakë. Rusia mund të bllokojë llogaritë e Assad në bankat ruse. Rusia mund të mbështesë në mënyrë aktive tranzicionin politik dhe të bashkëpunojë me ne për përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm, i cili do të jetë i aftë të ruajë unitetin e vendit dhe ta drejtojë atë në rrugën e demokracisë ", - tha ajo.