0Që nga viti 2007 piktorët rusë të përfshirë në artin bashkëkohor mund të përpiqen të bëhen kandidatë, por ndoshta dhe fitues të Çmimit Kandinsky. Deri kohët e fundit ai ka qenë çmimi më i madh, më prestigjioz në fushën e arteve figurative. Çdo ekspozitë e kandidatëve dhe, natyrisht, vetë ceremonia e dorëzimit të çmimeve po vjen duke u bërë një eveniment i bujshëm jo vetëm i botës së artit, por edhe i jetës mondane të kryeqytetit rus. Projektet e guximshme, provokative, sfiduese si dhe çmimi tejet i lartë, përkatësisht standardeve ruse, prej 40.000 euro - të gjitha këto tërheqin interesin e gjallë të publikut, gazetarëve, artistëve, kritikëve të artit dhe ekspertëve të tregut artit.

Tani edhe artistët e përfshirë në artin tradicional kanë mundësi për të deklaruar mbi veten në të gjithë botën: në Londër u zhvillua ceremonia e bujshme e promovimit të Çmimit rus në sferën e artit realist me emrin e Arkady Plastov.

Në fakt, çmimi në fjalë ekziston tashmë që prej disa vitesh: ai u themelua dy vjet më parë, por nuk u bë ndonjë ngjarje zhurmëmadhe. Çmimi fillestar i tij nuk ishte i fort i madh - gjithsej 25.000 € për një duzinë nominimesh. Një shumë e tillë mëse modeste si dhe mungesa e sfidave, provokimeve në vetë veprat e artit nuk e kanë fokusuar fort vëmendjen e gazetarëve dhe kritikëve të artit. Dhe, në përgjithësi, nuk mund të thuhet se arti realistik kontemporan është shumë popullor në ditët tona.

Por situata po ndryshon me shpejtësi: fituesit e këtij viti do të konkurrojnë për çmimin serioz. Në vitin 2013 fondi i çmimit u rrit deri në 625.000 €. Në këtë mënyrë Çmimi Plastov është bërë një nga më të mëdhenjtë në botë.

Artistët mund të përpiqen të bëhen një nga fituesit në 16 nominime, duke përfshirë edhe ato "Për kontribut të shquar në zhvillimin e arteve të bukura", "Mjeshtri", "Arti i ri" dhe "Tradita e gjallë". Kanë shans që të bëhen të famshëm edhe specialistët e lëmit të artit - në nominimin "Për studimin dhe promovimin e artit realist rus".

Përveç çmimeve të mëdha organizatorët e Çmimit janë përkujdesur edhe për krijimin e imazhit ndërkombëtar të evenimentit: një ditë pas prezantimit në sallën e ekspozimit të Shtëpisë Ankand të MacDougall do të hapet ekspozita e veprave të Arkadi Plastov dhe të fituesve të Çmimit në vitin 2012.

0Arkadi Plastov ka qenë një nga piktorët më të famshëm rusë të periudhës sovjetike, punët e tij "Fluturoi fashisti" (russ. «Фашист полетел»), "Darka e traktoristëve" (russ. «Ужин трактористов») dhe "Kositja e barit" (russ. «Сенокос») konsiderohen si vepra klasike të artit realist të shekullit të XX-të. Prandaj nuk është aspak e habitshme që emri i tij iu dha Çmimit, i cili, sipas fjalëve të Ministrit të Kulturës të Rusisë, Vladimir Medinskij, duhet të bëhet "ekuivalenti i Çmimit Nobel në fushën e artit".