0Regjimin ditor të këtyre tre provincave për 30 ditët e ardhshme Presidenti e njoftoi në transmetim të drejtpërdrejtë në kanalet televizive: shtetrrethim nga ora 9 e mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit. Banorët të zemëruar dolën menjëherë nga shtëpitë e tyre në shenjë proteste. Ata kërkojnë anullimin e masave ekstreme. Presidenti u përball sërish jo me opozitën politike, por me pakënaqësinë popullore, thotë orientalisti dhe arabologu Vladimir Beljakov:

- Në Kajro, në Sheshin Tahrir, gjatë këtyre ditëve ka qenë e pranishme kryesisht opozita politike. Në Ismailia, Port Said dhe në shumë qytete të tjera ka patur njerëz të kategorive të ndryshme. Tensioni është i ndjeshëm - hidh një fije shkrepëse dhe situata do të shpërthejë. Kjo vjen për shkak se revolucioni nuk ka dhënë ato fryte, të cilat priteshin nga organizatorët, si dhe nga fakti se niveli i jetesës ka rënë dhe perspektivat nuk janë të dukshme. Mursi nuk ka bërë asgjë, për të përmirësuar gjendjen ekonomike.

Epiqendra e trazirave mbetet Port Said. Një ditë më parë situata u përshkallëzua deri në kulm. Në varrimin e banorëve të qytetit, të cilët u vranë në përleshjet me policinë, nuk qe e mundur të shmangeshin përleshjet e reja dhe viktimat. Si rezultat në Port Said hynë tanket. Situatën e krijuar në vend Presidenti ka ndërmend ta diskutojë me udhëheqësit e lëvizjeve politike në vend. Sipas fjalëve të Mursi, dialogu - mënyra e vetme për arritjen e stabilitetit dhe sigurisë. Në këtë rast qëllimi për fillimin e një dialogu është vetëm një përpjekje, për të qetësuar situatën, sipas mendimit të orientalistit dhe arabologut Vladimir Beljakov.

Mursi përfaqëson lëvizjen e fuqishme "Vëllazëria myslimane", e cila ka ideologjinë e vet dhe pikëpamjet e saja se si duhet të jetojë populli i Egjiptit. Kjo është pozita e Mursi-t. Lëvizje të tilla si anullimi i kushtetutës së miratuar së fundmi në një referendum, e cila ngjall pakënaqësinë e një pjese mjaft të konsiderueshme të popullsisë, ose formimi i një qeverie të pajtimit kombëtar nuk ka gjasa të ndodhin.

Egjiptianët e pakënaqur nga Mursi shohin në veprimet e tij dëshirën, për të shtypur çdo përpjekje për lirinë. Qarkullojnë fjalë se qeveria e re ka marrë "dritën jeshile" nga SHBA-të për këtë formë qeverisjeje. Këtë "Zërit të Rusisë" ia rrëfeu aktivisti opozitar i Port Said Aiman Faid:

- Qëllimi i Shteteve të Bashkuara në këtë rast është kontrolli i plotë mbi Kanalin e Suezit, në mënyrë që çdo vend tjetër si Rusia, Kina apo dikush tjetër të mos luajnë as rolin më të vogël në rajon. Lufta nuk zhvillohet vetëm kundër Egjiptit, objektivi është i tërë rajoni. Nëse qeveria jonë do të vazhdojë të injorojë vullnetin e popullit, vendi do të vazhdojë të zhytet në krizë. Egjipti do të gjendet në pragun e një revolucioni të ri.

Deri pak kohë më parë Mohammed Mursi e quajti veten një kundërshtar të masave të jashtëzakonshme. Tashmë ai paralajmëroi se nëse do të jetë e nevojshme, do të shkojë më tej.