0Më shumë se 1.1 milionë njerëz gjetën vdekjen në Auschwitz - në kampin e vdekjes, të krijuar enkas për asgjësimin e “racave inferiore” dhe kundërshtarëve politikë të nazistëve. Midis tyre ishin rreth 900 mijë hebrenj, të paktën 140 mijë polakë dhe rreth 23 mijë romë. Në territorin e ish-kampit të vdekjes që nga viti 1947 funksionon një muze, zhvillohen studime, por numri i saktë i të vdekurve ende nuk është përcaktuar.

Shumicën e të burgosurve e vrisnin në dhomat e gazit menjëherë pas mbërritjes. Midis tyre rreth 230 mijë kanë qenë fëmijë nën moshën 16 vjeç. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, çdo ditë në krematoriume digjeshin rreth 8 mijë kufoma. Trenat me të dënuar mbërrinin nga më shumë se 30 vende.

Pjesa tjetër dërgohej për punë të vështira. Pothuajse askush nuk arriti të mbijetojë. Ushtarët sovjetikë gjetën në kamp vetëm 7 mijë persona, tregoi veterani Ivan Martinushkin, i cili ka marrë pjesë në çlirimin e kampit:

- Unë pashë njerëz të nxirë, të mbështjellë kush me batanije e kush me rroba. Ishte shumë e vështirë të dalloje fytyrat e këtyre njerëzve. E vetmja gjë që mund të shihej - ishin sytë e ndezur, në të cilët lexohej gëzimi që më në fund i erdhi fundi këtij ferri.

Të burgosurit vdisnin nga rrahjet dhe sëmundjet. Në ditë atyre u jepej vetëm 300 gram bukë dhe një litër supë e holluar me ujë. Gradualisht, ata arrinin në gjendjen kockë e lëkurë.

Gjithashtu në kamp realizoheshin eksperimente mjekësore mbi qeniet njerëzore: për të testuar medikamentet me kërkesë të kompanive farmaceutike gjermane, ata i infektonin me malarie dhe hepatit, meshkujt i tridhnin, gratë i sterilizonin. Doktori Mengele "Engjëlli i Vdekjes" siç e quanin të burgosurit, arriti deri në pikën më ekstreme të mizorisë. Në veçanti, ai studionte anatominë patologjike mbi foshnja të gjalla.

Në muzeun "Auschwitz-Birkenau" janë paraqitur ekspozitat kombëtare të tetë shteteve: Polonisë, Holandës, Sllovakisë, Republikës Çeke, Austrisë, Hungarisë, Francës dhe Belgjikës. Një pavijon i dedikohet popullsisë rome. Ekspozita ruse gjatë pesë viteve të fundit ka qenë e mbyllur. Zyrtarisht - për "modernizim", por në fakt për shkak të dallimeve politike.

Hapja e ekspozitës së re jep shpresa që më në fund do të mund të harrohen konfliktet e minutës së fundit dhe të përqëndrohet vëmendja te gjëja më kryesore - realizimi i detyrës për kujtimin e të vdekurve. Midis tyre ndodheshin edhe qytetarë paqësorë nga Bashkimi Sovjetik, edhe ushtarë sovjetikë të zënë rob, tha Zëvendësdrejtor i Muzeut të Luftës së Madhe Patriotike Viktor Skrjabin:

- Detyra e ekspozitës, mbi të gjitha, është të theksohet edhe një herë natyra mizore, tejet barbare e nazizmit. Së dyti, t'i bëhet respekti i merituar guximit të qytetarëve sovjetikë, të cilët u bënë pjesë e këtij kampi. Së treti, nënvizimi i rolit çlirimtar të Ushtrisë së Kuqe.

0Auschwitz - ishte më i madhi, por jo i vetmi kamp i vdekjes i nazistëve. Në territorin e Rajhut të Tretë ekzistonin 10 "makina të tilla për vrasje", katër prej tyre lokalizoheshin në Poloni. Gjithsej në kuadër të "luftës për pastërtinë racore" atje u zhdukën nga faqja e dheut rreth 3 milionë njerëz.