Më shumë se 150.000 m ³ dëborë artificiale do të prodhohen për Olimpiadën e ardhshme Dimërore të vitit 2014 në qytetin rus të Soçit. Kjo sasi dëbore do të shërbejë si rezervë për zhvillimin e garave në rast mungese të dëborës natyrore, njoftoi kompania "Olympstroy".

Në komplekset olimpike, të ndërtuara në malet përreth Soçit, dëbora artificiale përftohet me ndihmën e topave të dëborës dhe më pas ajo dërgohet për t’u ruajtur në depo të veçanta deri në vitin e ardhshëm. Dëbora e përftuar artificialisht i mbijeton pranverës, verës dhe vjeshtës nën një shtresë 40 cm tallashi. Dëbora artificiale do të dërgohet në komplekset sportive me ndihmën e kamionëve të veçantë.