0Çështjet kryesore ndërkombëtare, duke përfshirë edhe situatën në Lindjen e Mesme, nuk kanë gjetur zgjidhje deri tani, vuri në dukje Ministri rus. Gjatë kësaj vërehet një tendencë shumë e rrezikshme, kur gjithnjë e më shumë situata krize po përpiqen të zgjidhen me anë të përdorimit të forcës.

Politika e jashtme ruse gjatë vitit të kaluar ka ruajtur vazhdimësinë, parimet e saj themelore kanë mbetur respektimi i ligjit ndërkombëtar dhe bazave kolektive të marrëdhënieve ndërkombëtare. I rëndësishëm, mjaft tregues, në këtë drejtim është qëndrimi i Moskës në zgjidhjen e situatës së krizës në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht në Siri, deklaroi Lavrov. Shqetësimi kryesor ishte për të parandaluar përdorimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të legjitimuar ndërhyrjen nga jashtë. Në vitin 2013 Rusia do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet e mundshme për të gjetur një rrugëdalje me mjete politike dhe diplomatike, vuri në dukje Lavrov:

- Ne ndjekim të njëjtën linjë në kontaktet tona me qeverinë siriane dhe me të gjitha forcat opozitare. Por anëtarët e tjerë të Grupit të Veprimit inkurajojnë opozitarët dhe i furnizojnë ata me gjithçka të nevojshme për të vazhduar luftën, ndërsa me qeverinë nuk kanë praktikisht asnjë kontakt. Vetëm ne, si homologët tanë kinezë, dhe i Dërguari special i OKB-së dhe Lidhjes së Shteteve Arabe, Lakhdar Brahimi, u përpoqëm për t’i ulur palët konfliktuese në tryezën e bisedimeve. Por deri tani pengesë kryesore në arritjen e ndonjë përparimi vazhdon të mbetet ideja fikse e opozitës siriane për përmbysjen e regjimit të Bashar Al-Assadit.

Sipas fjalëve të Ministrit Lavrov, Moska po kërkon të arrijë stabilizimin e situatës edhe në vendet e tjera të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut. Fakti, që metodat radikale të përdorimit të forcës nuk janë aspak të përshtatshme për zgjidhjen e problemeve në këtë rajon, është provuar nga ngjarjet e fundit në Algjeri dhe Mali, deklaroi Ministri rus.

Duke folur mbi operacionin ushtarak në Mali, Lavrov komentoi informacionin në qarkullim në lidhje me ndihmën e Rusisë në transferimin e ushtarëve francezë në këtë vend. Ministri theksoi se në këtë rast fjalë mund të bëhet vetëm për pjesëmarrjen e kompanive private që kanë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Francës.

Përsa i përket marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë, siç deklaroi Lavrov, ekipi i Obamës arriti të kapërcejë krizën që lindi në marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit gjatë kohës së presidencës së George W. Bush. Shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. U krijua Komisioni Presidencial, u nënshkrua Traktati i ri mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO ose START), u ratifikua Marrëveshja për bashkëpunim në përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe u arrit një marrëveshje për lehtësimin e regjimit të vizave. Por në dialogun mes Moskës dhe Uashingtonit vazhdojnë të mbeten akoma stimulues, ngacmues. Kryesori ndër ta është problemi i mbrojtjes antiraket (MAR), konfirmoi Sergei Lavrov:

- Ne mbetemi të hapur për dialog. Partnerët tanë amerikanë, duke avokuar dialogun, në fakt vazhdojnë zbatimin e projektit të drejtuar për krijimin e objekteve të mbrojtjes amerikane antiraket, pa ia vënë veshin fare asaj që themi ne. Domethënë bëjnë sikur na ftojnë për dialog, ndërsa vetë ndjekin pikësynimin e përcaktuar prej kohësh dhe që e kanë bërë fakt të kryer me anë të vendimeve të NATO-s.

0Sergei Lavrov theksoi se Moska do të reagojë ndaj hapave jomiqësorë nga ana e Uashingtonit. Por në bazë të ndërveprimit mbetet megjithatë gatishmëria për të zhvilluar më tej marrëdhëniet ruso-amerikane.