0Brigadat speciale tashmë kanë dalë në gjueti. Vetëm për tre muaj numri i ujqërve në Jakutia, në Siberi verilindore, duhet reduktuar në shtatë herë: nga 3.500 individë deri në 500 syresh. Autoritetet lokale i kanë furnizuar njësitë e gjuetarëve me karburant e municione dhe u kanë premtuar atyre shpërblime në të holla për çdo lëkurë ujku. Ndërsa tre gjuetarët më të mirë i pret çmimi veçanërisht bujar prej 25.000 euro. Duke marrë parasysh dëmet e mëdha që i shkaktojnë ujqërit ekonomive fermere, të cilat pësojnë humbje njëqind herë më të rënda, shpenzime të tilla duken plotësisht të arsyeshme, janë të mendimit autoritetet e republikës. Rreziku kryesor konsiston në faktin, se tufat e ujqërve kanë filluar t’u afrohen shumë pikave të banimit. Mbi mënyrën e sjelljes, veprimit të grabitqarëve tregoi në intervistën e vet me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" zoologu rus Dimitri Pojarkov:

- Tufat e këtyre kafshëve grabitqare janë mjaft heterogjene nga pikëpamja e përbërjes së vet, por në përgjithësi ne kemi evidentuar rreth 10-12 ujq në një tufë. Si rregull, struktura bazë e tufës përbëhet nga grupi familjar, domethënë prej çiftit themelues dhe një ose dy breza të rinjsh. Në Jakutia janë vënë re lukuni mjaft të mëdha ujqërish, me sa mbaj mend unë, tufa me nga 20 kafshë.

Përveç Jakutisë dhe territorit të Trans-Baikalit fqinj me të, gjuetia ndaj ujqërve është shpallur dhe në zonën e Uraleve - në rajonin e Sverdllovskut, në Lindjen e Largët Ruse, në krahinën e Habarovskut dhe në jug të Siberisë - në Tuva. Në këtë të fundit grabitqarët e vrarë i këmbejnë me kafshë shtëpiake (bagëti). Me ujqërit në Tuva janë të detyruar të merren jo vetëm gjuetarët, por edhe policët. Ata i thërrasin fshatarët kur grabitqarët sulmojnë bagëtinë. Një patrullë policore u detyrua madje të hapte zjarr me automatikë “Kallashnikov” mbi ujqërit.

Megjithatë, jo të gjithë në Rusi i mbështesin praktika të tilla të luftës kundër këtij grabitqari. Mbrojtësit e kafshëve propozojnë rivendosjen e popullatës së lepujve, ndaj të cilëve, siç dyshohet, zhvillohet gjueti e pakontrolluar. Por eksperti i filialit rus të Fondit të natyrës së egër (WWF), Vladimir Krever, beson se probleme me lepujt nuk ekzistojnë:

- Lepuri i egër, natyrisht, nuk është ushqimi i vetëm i ujqërve. Në varësi të asaj se për çfarë zone apo rajoni bëhet fjalë, grup i këtyre viktimave do të jetë i ndryshëm. Në parim, numri i ujqërve atje varion nga 3500-5000 syresh. Ai, mund të konkludohet, rezulton mjaft i qëndrueshëm gjatë shumë viteve të fundit.

0Në një pikë përkojnë edhe mendimet e shkencëtarëve, edhe të mbrojtësve të kafshëve, dhe pikërisht, se ndaj këtij problemi nevojitet një qasjeje komplekse, gjithëpërfshirëse. Ndërsa tani për tani në betejën e grabitqarit kundër njeriut po trimfon grabitqari. Kështu, gjatë dimrit të kaluar vetëm në Jakutia ujqërit kanë shqyer 16.000 drerë dhe kanë mbytur 300 kuaj. Ndërsa ujq janë vrarë jo më shumë se 600 syresh.