Avaria e ndodhur në një uzinë kimike në qytetin francez të Rouen ka çuar në emetimin në atmosferë të një reje gazi, e cila mbërriti mbrëmë në Paris.

Banorët e zonave veri-perëndimore të qytetit u ankuan për rrjedhje të gazit që përdoret në jetën e përditshme. Shërbimet emergjente shkuan për verifikim në vendet e njoftuara nga të ankuarit, por të gjitha alarmet rezultuan të rreme.

Gazi i përhapur ka një erë karakteristike të fortë dhe përdoret gjatë procesit të prodhimit për aromatizimin e substancave pa erë, në mënyrë që të evidentohet në kohë rrjedhja, njoftuan përfaqësuesit e uzinës . Ky gaz nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut.

Prefektura e Parisit siguroi se koncentrimi i resë së gazit të çliruar në atmosferë është i ulët dhe se ajo tashmë praktikisht është zhdukur.