Të dielën në afërsi të vendburimit të gazit në lindje të Algjerisë, ku prej disa ditësh vazhdojnë ngjarjet dramatike të lidhura me zaptimin nga militantët të uzinës së naftës dhe gazit, u gjetën 25 trupa të tjerë të pajetë.

Po verifikohet nëse janë ose jo të gjitha kufomat e pengjeve, apo në mesin e tyre ka edhe militantë islamistë. Megjithatë autoritetet lokale nuk kanë dyshim se të gjithë 25 personat e vrarë janë punonjës të kompleksit të vendburimit të gazit. Nëse kjo konfirmohet, atëherë numri i përgjithshëm i viktimave të islamistëve do të arrijë deri në 48 vetë.

Gjatë operacionit ushtarak të shtunën janë vrarë edhe 32 militantë. Të dielën u arrit të arrestoheshin edhe pesë të tjerë.