0Përpjekjet për të çarë bllokadën e Leningradit filluan pothuajse menjëherë pas vendosjes së saj. Qyteti u shkëput fare nga pjesa tjetër e vendit në fund të gushtit të 1941: atëhere u pezullua qarkullimi automobilistik me të. Por megjithatë si datë zyrtare e fillimit të bllokadës quhet 8 shtatori - dita e parë e bombardimeve. Dhe qyteti menjëherë u gjend i mbëthyer në darën e pushtimit: përpjekjet e ndërmarra për të evakuuar banorët dhe, para së gjithash, fëmijët nëpërmjet liqenit Ladoga dolën krejtësisht të pamundura - gjermanët bombardonin gjatë gjithë kohës, në mënyrë të parreshtur liqenin. "Rruga e Jetës" (rruga nëpër sipërfaqen e mbuluar me shtresë të trashë akulli të liqenit) u hap vetëm në nëntor të vitit 1941. Pikërisht nëpërmjet saj, pavarësisht sulmeve të rregullta të artilerisë dhe aviacionit gjerman, në qytet sillnin ushqime, ndërsa prej tij evakuonin njerëzit. Për leningradasit mundësia e evakuimit u bë një zgjedhje e tmerrshme: të rrezikonin dhe, ndoshta, të mbijetonin ose të mbeteshin në qytet, ku çdo ditë para syve të tu vdesin njerëzit e afërm. Dikush vdiste rrugës, para se të arrinte deri në "Rrugën e Jetës". Ja se çfarë kujton Vladimir Kljuçariov. Në vitin 1942, në moshën 11-vjeçare, ai së bashku me pjesëtarët e familjes së vet u largua nga Leningradi i rrethuar.

- Në stacionin “Finlandez” ishte një tren që destinohej për të shkuar në liqenin Ladoga. Në këtë tren ne të gjithëve na u dha një racion ushqimi për rrugë: një gjysmë suxhuku kalé (i trashë) i zier, një pjatë makaronash të vogla të nxehta, madje më kujtohet fort mirë, që nxirrnin avull. Për tre veta neve na dhanë gati dy bukë. Një ëndërr e vërtetë! Treni u nis dhe gjatë rrugës shumë udhëtarë vdiqën tashmë në vagona. Ata (të pangrënë prej kaq kohësh) iu vërsulën menjëherë me babëzi ushqimit duke e përpirë momentalisht atë. Pas kësaj filluan të ndodhin gjëra të tmerrshme: të vjella, diarre, njerëzit humbisnin ndjenjat dhe thjesht vdisnin me mundime. Dhe kur arritëm në fshatin e quajtur Borisova Griva, atje pamë shumë njerëz, turma të panumërta të ulura gjithkund, përreth pellgje të mbuluara me kore të trashë akulli. Makinat, që duhej të transportonin njerëzit nëpër sipërfaqën e ngrirë të liqenit Ladoga, ishin të pamjaftueshme. Atje unë pashë një skenë rrënqethëse, që nuk do të më shlyhet kurrë nga kujtesa: nën shtresën e akullt të liqenit, në gropën e çelur nga predha, trupi pa jetë i një gruaje të re që shtrëngonte foshnjën në krahë.

Bllokada e Leningradit: nga 4 shtatori i vitit 1941 deri më 27 janar të vitit 1944

Në dimrin e 1943 regëtiu një fije shprese. Në qytet filluan të qarkullojnë fjalët se po përgatitet operacioni për thyerjen e bllokadës. Luftimet filluan më 12 janar. Gjashtë ditë më vonë forcat sovjetike arritën të marrin Shlisselburg-un. Në Leningrad nuk e mësuan menjëherë lajmin e kësaj fitoreje të vogël, por me rëndësi jetike, madje fatpërcaktuese, tha Vsevollod Petrov-Masljakov. Në momentin e fillimit të bllokadës së Leningradit ai ishte 12 vjeç dhe pothuajse gjithë periudhën 900 ditore të vazhdimit të saj ai e kaloi në vetmi të plotë. Babai u mobilizua që në fillim të luftës, kurse nëna e tij punonte në spitalin e vijës së parë të frontit. Në ditën e thyerjes së bllokadës ai u nis në kërkim të saj:

- Dëgjoheshin gjëmime, të shtëna, vazhdonin bombardimet, por ndërkohë askush nuk ndodhej pranë dhe s’kishe kë të pyesje se çfarë po ndodh në të vërtetë. Dola në rrugë: edhe atje nuk pashë këmbë njeriu. Gjithçka gjëmon, ndërsa shpërthime nuk ka më. Unë vazhdova rrugën i vetëm deri në vendin e ndodhjes së spitalit. Hyra në oborr dhe pashë se ai ishte i mbushur plot me njerëz. Kishte dy apo tre ambulanca të ardhura direkt nga linja e parë e frontit. Disa nga të plagosurit i çonin me barrela direkt në spital, disa të tjerë mjekët i shikonin në vend, ndërsa të tjerë ishin të shtrirë të vdekur në oborr. Doli jashtë me vrap nëna ime, e drobitur, shumë e hequr në fytyrë, me rrathë të zinj nën sy, dhe më solli mua një kavanoz me ushqim dhe duke ma lënë në dorë tha: "Tanët e thyer bllokadës".

0Rripin e tokës në bregun jugor të liqenit Ladoga, të marrë gjatë operacionit, Komanda sovjetike e shfrytëzoi në maksimum. Atje në afate shumë të shkurtra u shtruan menjëherë disa rrugë, nëpërmjet të cilave kalonin makinat me produkte ushqimore. Më 7 shkurt në qytet erdhi treni i parë.