Avioni gjuajtës rus i brezit të pestë "T-50" kreu fluturimin e tij të parë të pavarur në një distancë të largët, njoftoi të enjten në microblog-un e tij në "Twitter" Zëvendëskryeministri i Rusisë, Dimitri Rogozin.

"T-50" u ngrit për fluturim nga Lindja e Largët ruse dhe u ul në aerodromin "Zhukovski" në periferi të Moskës. Avioni përshkoi një distancë prej 7000 km, duke u ulur dy herë gjatë itinerarit të fluturimit. Avioni i brezit të pestë është i pajisur me funksionin e "pilotit elektronik" dhe me radarë të avancuar.

Për herë të parë në publik gjuajtësi u prezantua më 17 gusht të vitit 2011 në Sallonin Ndërkombëtar të Aviacionit "MAKS".