0Bllokada e Leningradit filloi më 8 shtator të vitit 1941. Pikërisht atëhere u derdhën nga qielli mbi qytet bombat e para. Shumë shpejt pas kësaj sirenat e paralajmërimit të sulmeve ajrore u bënë diçka krejtësisht e zakonshme për banorët. Alarmi shpallej me anë të sistemeve të veçanta manuale të instaluara në godinat e banimit si dhe nëpërmjet radios. Çdo i mbijetuar i tretë leningradas mund të thotë se i shpëtoi atëhere për mrekulli ndonjë bombe apo predhe, thotë piktori Igor Suvorov. Në momentin e fillimit të bllokadës ai ishte 9 vjeç.

- Mbaj mend ishte pranverë dhe neve na u lutën të ndihmojmë për të pastruar oborrin. Unë fillova të thyej cipën e akullit që kishte mbuluar rrugën e kalimit dhe më vonë i lodhur nga puna drejtova kurrizin e ngrita sytë nga qielli. Befas diçka regëtiu me vërshëllimë të mprehtë para syve të mi dhe pastaj fare pranë meje, gati njëzet centimetra larg, ra një predhë. Ajo depërtoi në dritaren e katit të parë dhe pas disa sekondash në godinën e banimit gjëmoi një shpërthim i madh. Mua më shpëtoi muri i ndodhur aty pranë, përndryshe vala goditëse e shpërthimit do të më kishte bërë copë.

Bllokada e Leningradit: nga 4 shtatori i vitit 1941 deri më 27 janar të vitit 1944

Me kalimin e kohës leningradasit u mësuan me gjëmimin e predhave. Shumë banorë të qytetit nuk zbrisnin më për tu fshehur në vendstrehimet kundër bombave (rifuxho) dhe në bodrume. Dikush kishte frikë se mos mbetej i murosur nën tokë, kurse dikush thjesht nuk kishte më fuqi për të lëvizur nga të pangrënët.

Më i tmerrshëm ishte dimri i vitit 1941-1942: njerëzit e çfilitur nga dobësia e madhe fizike binin të vdekur përtokë, autoritetet e qytetit nuk arrinin dot të pastronin rrugët e mbuluara nga mijëra kufoma. Natën, nëpër qytetin e zhytur në terr, vraponin andej - këtej minjtë, të cilët hanin të vdekurit dhe sulmonin të gjallët. Disa njerëz ndalonin në rrugë për të pushuar pak dhe për të mbledhur forcat, por humbnin vetëdijen dhe ngrinin për vdekje në vend.

Atë dimër punëtorët merrnin vetëm nga 250 gram bukë në ditë, ndërsa zyrtarët, fëmijët dhe pleqtë akoma dhe më pak - 125 gram. Sipas rrëfimeve të të mbijetuarve, uria i kishte veshur sytë njerëzve dhe praktikisht u kishte dëbuar të gjitha mendimet e tjera nga koka. Punëtorët në uzina punonin me sforcim të madh, duke e lidhur veten pas tornove e makinerive ngaqë nuk i mbanin më këmbët. Fëmijët, të cilët nga të paushqyerit nuk kishin forca as për të lëvizur, për muaj të tërë nuk ngriheshin nga shtrati dhe vizatonin ushqime të ndryshme: një bukë të tërë, konserva të hapura mishi e peshku, fruta të freskëta. Për ushqim përdorej, në kuptimin e plotë të fjalës, gjithçka që u binte njerëzve të uritur në dorë, tregon Vsevollod Petrov-Masllakov. Që në ditët e para të bllokadës ai, asaj kohe një vogëlush 11-vjeçar, mbeti i vetëm në apartamentin bosh.

- Të gjitha dritaret ishin të mbyllura me dërrasa të mbërthyera me gozhda, prandaj nuk kuptohej nëse jashtë ishte natë apo ditë. Soba ndodhej në mes të dhomës dhe tubi i saj disa metra i gjatë kalonte përmes saj deri tek dritarja. Ai bllokohej herë pas here nga bloza dhe nuk e tërhiqte më tymin, kështu që unë rrija i ulur në karrige me maskë kundragazi në fytyrë. I veshur me të gjitha rrobat e mundshme dhe me kundragaz përpiqesha të mbijetoja ... Dikur familja jonë kishte një kalë. Atë u detyruan ta therin, kurse lëkura mbeti. Fillimisht asaj i duheshin përcëlluar qimet dhe pastaj të zihej. Unë më pas prisja copa të vogla prej saj dhe i haja. Mbetën edhe dy thundra, ato i gatova gjithashtu.

0Shpëtim për qytetin dhe banorët e saj u bë çarja e bllokadës në janar të vitit 1943. Trupat sovjetike arritën t’i marrin armikut me luftime të ashpra një rrip të vogël toke përgjatë bregut jugor të liqenit Ladoga, në të cilën menjëherë filloi të funksionojë një rrugë automobilistike dhe një linjë hekurudhore. Në shkurt të vitit 1943 njerëzit në qytetit filluan të marrin si minimum nga 400 gram bukë në ditë, në Leningrad nisën të sjellin medikamente.