0Periudha më e vështirë e bllokadës u bë dimri i viteve 1941-1942. Racioni ditor i bukës për banorët e qyteti ishte minimal - të moshuarit dhe fëmijët merrnin gjithsej nga 125 gram për njeri. Aty nga fillimi i dhjetorit u ndërpre ngrohja e centralizuar e banesave, sistemet e ujërave të zeza dhe të furnizimit me ujë rreshtën së funksionuari. Temperatura ishte rekord e ulët - deri në minus 32 gradë. Njerëzit për të përballuar të ftohtin e hidhur flinin grupe-grupe, të ngjeshur fort pas njëri-tjetrit e të përqafuar. Veshjet dhe batanijet nuk i shpëtonin dot - ata ngrinin në shtrat dhe të ngjitur pas mureve. Shumë shpejt filloi të ndihet edhe mungesa e energjisë elektrike: të gjitha burimet disponuese viheshin në dispozicion të funksionimit të spitaleve, ndërmarrjeve dhe uzinave të mbrojtjes. Shtëpitë dhe rrugët mbetën pa drita, kujton Igor Suvorov. Në momentin e fillimit të bllokadës ai ishte 9 vjeç.

- Njerëzit ecnin në terr. Me qëllim që ata të mos përplaseshin, shiteshin stema në formë rombi ose rrethi. Ato ishin të lyera me fosfor dhe ndriçonin në qoftë se i mbaje sikur dhe për një grimë kohe pranë llambave të nxehta elektrike. Ja kështu dhe lëviznin njerëzit në rrugë duke shmangur përplasjet me njëri-tjetrin.

Bllokada e Leningradit: nga 4 shtatori i vitit 1941 deri më 27 janar të vitit 1944

Burra në qytet pothuajse nuk mbetën fare. Të gjithë punën e morrën mbi vete gratë, kurse pastaj u ingranuan edhe fëmijët. Ata që ishin më të rritur shkonin të punonin në uzina. Më të vegjlit, që ishin në gjendje të ecnin dhe të bënin të paktën diçka, ndihmonin si të mundnin. Shumë shkonin në brigadat e zjarrfikësve, të cilat shpëtonin në radhë të parë godinat e banimit nga bombat ndezëse, tregon Maria Masljak (në moshën 12 vjeçare ajo ka punuar në një prej brigadave zjarrfikëse).

- Në një nga rrugët e qytetit ishte një shtëpi e vogël dy-katëshe, ne ngjiteshim në katin e dytë të saj dhe hynim në mbëtrazë (në nënçati). Atje kishte fuçi me ujë dhe arka të mëdha me rërë. Dhe kur fillonin bombardimet aeroplanët hidhnin "ndezëset”, kurse ne në oborr shikonim se ku fluturojnë bombat ndezëse. Ne kishim disa dara me bisht të gjatë, me to i kapnim "ndezëset”, ndërsa forcat jo gjithmonë na mjaftonin se ishim të vegjël e të pangrënë që ti vërvisnim ato nga dritarja, prandaj i hidhnim në ujë ose i groposnim në rërë.

Por përveç punës fëmijët, të cilët në vitin 1942 ishin 12-13 vjeç, përvetësonin edhe shkencën ushtarake. Ja se çfarë tregon Juri Bjellov. Në fillim të bllokadës së Leningradit ai ishte 12 vjeç.

- Në vitin 1942 unë u ktheva në shkollë. Atje ne bënim dru zjarri: për familjen e tonë, për nevojat e shkollës. Mblidhnim trarët dhe dërrasat e shtëpive të shkatërruara prej druri, tëharrnim tokat e mbjella të sovkozeve (ekonomive shtetërore sovjetike). Djemtë mësuan të çmontonin pushkën, mitralozin, të vendosnin fishekët në karikator. Kurse vajzat mësonin të kryenin punën e infermiereve.

0Sot disa historianë preferojnë ta krahasojnë Leningradin me Parisin. Ata madje përpiqen të provojnë se francezët vepruan më drejtë: ata e lanë kryeqytetin e tyre në duart e gjermanëve, u pajtuan me pushtimin ... Për ata që përjetuan bllokadën e Leningradit dhe mbijetuan kjo logjikë është krejtësisht e pakuptueshme, e paqartë. Madje dhe në dimrin e vitit 1942, gjatë mbajtjes së radhëve të gjata për bukë duke mallkuar gjermanët, nëse dikush papritmas thoshte: "Më mirë të ishim dorëzuar”, të gjithë njerëzit fillonin të thërrisnin me të madhe: “Leningradin nuk do ta dorëzojmë! Kurrën e kurrës nuk do ta lëmë atë në dorë të armikut!”.