0Pishtari olimpik Soçi-2014, siç doli, ka qenë i ekspozuar për të gjithë gjatë gjithë vitit të kaluar. Sipas fjalëve të Kryetarit të Komitetit Organizativ "Soçi-2014" Dimitri Çernishenko, pishtari ka qenë i shifruar në emblemën zyrtare të Lojrave Dimërore në Soçi, e cila përfaqëson në vetvete një mbulesë lara-lara të bërë me aplikacione copash të ndryshme (patchwork). Në të vërtetë, në qoftë se ju e shikoni nga afër me vemendje këtë mozaik mund të vëreni konturet e skicës së Zogut të zjarrtë përrallor (Firebird) ose zogut mitik, Feniks, të aftë të ringjallet nga hiri i tij. Pikërisht kjo figurë dhe u morr si bazë për dizajnimin e pishtarit olimpik Soçi-2014 nga dekoratorët. Ndërsa falë teknologjive moderne organizatorët e Lojrave kanë arritur të krijojnë jo thjesht një pishtar, por një objekt të vërtetë arti.

Atë e dallon silueta e pazakontë dhe format e lakuara elegante të konturimit. Trupi i pishtarit është derdhur prej aliazhi alumini, metodë kjo që e bën atë shumë të lehtë por njëkohësisht edhe tepër të fortë. Ai është në ngjyrë argjendi të çelët "metalike". Pishtari për Olimpiadën në pjesën qendrore të tij është dekoruar me ngjyrë të kuqe, kurse pishtari për Paralimpiadën me ngjyrë bojëqielli.

Dizajnerët i kanë kushtuar vëmendje të veçantë për konstruksionit të vetë pishtarit. Megjithëse lartësia e tij është rreth një metër, ai peshon më pak se 2 kilogramë. Doreza ergonomike dhe qendra e gravitetit janë të dizajnuara për komfort maksimal për pishtarmbajtësin gjatë kohës së vrapimit. Vatra speciale e ndezjes së zjarrit nuk do të lejojë fikjen e tij madje dhe në kushtet më ekstreme të motit. Gjatë stafetës pishtari me zjarrin olimpik do të ngrihet në malin Elbrus, do të zhytet në fundin e liqenit Baikal, do të arrijë deri në Polin e Veriut dhe madje do të fluturojë në kozmos, tha projektuesi i pishtarëve, Andrei Vodjanik:

- Pishtari është projektuar për përballimin e temperaturës së ulët deri në - 40 gradë, pavarësisht nga fakti se regjimi real i funksionimit të tij është llogaritur për - 24 gradë. Le të themi se kjo është temperatura mesatare statistike në të cilën ai duhet të funksionojë në mënyrë stabile. Pishtari u testua gjithashtu në erëra të forta me shpejtësi deri në 25 metra në sekondë. Pishtari do të përballojë pa kurrfarë problemi erën me shi dhe tufanin e dëborës. Përveç kësaj ekziston një modifikim i posaçëm i llogaritur për pishtar malor, i cili është projektuar për operim në kushtet e ajrit të hollë (me përmbajtje të pakët oksigjeni) dhe të ftohtë të hidhur. Do të bëhet edhe një modifikim i pishtarit për kushtet e kozmosit, ndërkohë që ekziston tashmë modifikimi i pishtarit për transmetimin e stafetës së zjarrit në fundin e liqenit Baikal.

Flaka olimpike për Soçi-2014 do të ndizet në Greqi, prej nga ku më 7 tetor të vitit 2013 do të sillet në Moskë. Sipas llogaritjeve të organizatorëve të Lojrave Olimpike, rreth 130 milionë banorë të Rusisë do të mund të bëhen spektatorë të drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrës të stafetës së flakës olimpike.

0Përzgjedhja e pjesëmarrësve të stafetave të zjarrit Olimpik dhe Paralimpik do të fillojë të martën, më 15 janar dhe në to mund të marrë pjesë gjithkush që dëshiron.