Ndotja e ajrit në Pekin e ka tejkaluar nivelin kritik. Të marrësh frymë në kryeqytetin kinez është bërë aq e rrezikshme sa që banorët janë këshilluar të mos dalin jashtë shtëpive dhe të mbajnë maska. Për shkak të ndotjes së ajrit Pekini është mbuluar nga një smog i dendur, në aeroporte shpesh anullohen fluturimet, ndërsa shumë banorë të qytetit vuajnë nga sëmundje të aparatit të frymëmarrjes. Gjatë ditëve të fundit situata është përkeqësuar për shkak të motit pa erë.

Autoritetet e qytetit rregullisht publikojnë të dhëna të detajuara për ndotjen e ajrit në qytet. Në ditët kur ajri është i ndotur më shumë se zakonisht, pezullohet puna e ndërmarrjeve të mëdha industriale.

Në kuadër të luftës kundër ndotjes së ajrit për një afat të gjatë kohor autoritetet planifikojnë të mbyllin termocentralet me qymyr, të heqin nga qarkullimi taksitë e vjetra si dhe të mbjellin pemë për të mbrojtur qytetin nga stuhitë e pluhurit.