Roboti kanadez Dextre, i cili po punon në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar (SKN), do të fillojë eksperimentin e parë për realizimin e furnizimit automatik me karburant të satelitëve në orbitë, njofton NASA.

Dextre, i telekomanduar nga Toka, do të përpiqet të hapë valvulat dhe t'i lidhë me to një tub, i cili do të përcjellë lëndë të lëngshme të ngjashme me karburantin. Këtë punë ai do ta kryejë me kompleksin e veçantë eksperimental Robotic Refueling Mision - një "kuti" me madhësinë e një lavatriçeje në pjesën e jashtme të SKN-së me lloje të ndryshme valvulash dhe pajisje të tjera.

Furnizimi me karburant dhe riparimi i satelitëve në orbitë do të rrisë ndjeshëm jetëgjatësinë e tyre, çka mundëson kursimin e miliarda dollarëve që shpenzohen në ditët e sotme për ruajtjen e grupeve të satelitëve.