0Hulumtuesit nga SHBA-ja konfirmojnë se alternimi i klimës ka përshpejtuar në mënyrë fort të ndjeshme evolucionin e njeriut. Në mbështetje të këtij versioni shkencëtarët përmendin atë fakt, se problemet mjedisore kanë përkuar me periudhën kur në territorin përkatës u dukën paraardhësit e parë të racës njerëzore, të cilët mësuan të përdorin mjetet e punës.

Mendimet e ekspertëve në lidhje me këtë temë janë të ndara. Antropologu social rus, Aleksandër Kazankov, e mbështet plotësisht teorinë e klimës:

- Homo sapiens sapiens pikërisht në kushte të tilla lindi. Dhe ky është një fakt tashmë i provuar. Njerëzit studiojnë ndryshimet paleoklimatike, përpiqen të sqarojnë se çfarë klime ishte në atë periudhë dhe e krahasojnë atë me gjetjet arkeologjike. Nga e gjithë kjo rezulton se kur klima luhatej në mënyrë të theksuar, evolucioni avanconte me oshilacione (me hope, hipje-ngritje).

Eksperti është mëse i bindur se ndryshimet klimatike i detyruan njerëzit e parë të vendosen fillimisht me banim në Afrikë, të cilën shumë shkencëtarë e konsiderojnë si djepin e njerëzimit, kurse më pas të lëvizin drejt kontinenteve të tjera.

Por teoria e klimës, duhet thënë, ka jo pak kundërshtarë. Paleoantropologjisti rus Aleksandër Bjellov e quan fort të rëndësishëm faktorin klimatik, por jo vendimtar megjithatë. Gjetjet në kontinente të ndryshme, sidomos të kohëve të fundit, nuk kuadrohen në asnjë nga teoritë ekzistuese. Madje më tepër se kaq, tani për tani është pothuajse e pamundur për të ndërtuar vazhdimësinë midis formave të ndryshme të lashta të njeriut me qëllim që të mund të konstruktohet në mënyrë pak a shumë të saktë historia e njerëzimit:

- Është tejet e vështirë për të krijuar vijimësinë midis formave të lashta. Homo sapiens-ët e hershëm, që patën jetuar 130-200 mijë vjet më parë në Afrikë, nuk kombinojnë fort me Cro-Magnons që kanë jetuar rreth 54-50 mijë vjet të shkuara në Afrikë, Evropë, Azi dhe Australi. Vazhdimësia në mes këtyre dy grupeve është shumë e vështirë për tu konstruktuar. Më shumë gjasa ka që ajo nuk ekziston.

Zbulimet e reja arkeologjike, sipas fjalëve të shkencëtarit, po e detyrojnë botën e shkencës të ndryshojë vazhdimisht pikëpamjen e vet përkatësisht faktit të dukjes së njeriut dhe evolucionit të tij. Asnjë prej hipotezave ekzistuese, sipas paleoantropologjistit rus Aleksandër Bjellov, nuk mund të shpjegojë dot të gjitha gjetjet. Ndoshta shkenca që merret me studimin e njeriut ka nevojë për një bazë krejtësisht të re filozofike, thotë ai:

- Është mëse evidente se njohuritë në lidhje me këtë janë të pamjaftueshme. Darvinizmi, në thelbin e vet, është një ideologji. Ekziston Kreacionizmi, por ai nuk është i bazuar në fakte po në dëshmi fetare. Lypset një ide, e cila të mund të shpjegojë faktet e reja, zbulimet e reja.

0Me sa duket nga të gjitha, shkenca mbi njeriun po grumbullon sërish materiale faktike. Dhe atyre që duan të mësojnë të vërtetën mbi origjinën e paraardhësve të vet, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presin kur, sipas ligjit të dialektikës, sasia e fakteve e gjetjeve të akumuluara të shndërrohet në cilësi.