0Në raportin tradicional organizata e bamirësisë ka publikuar renditjen (rejtingun) e vendeve ku të krishterët janë më të persekutuar. Në të Siria gjatë vitit të kaluar është zhvendosur nga vendi i 36-të në atë të 11-të. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë mbledhur të dhëna për shumë të krishterë në Siri, të cilët janë rrëmbyer, keqtrajtuar fizikisht ose janë vrarë në zonat e kontrolluara nga opozitarët islamistë. Akte sakrilegji janë kryer edhe kundër shenjtëroreve të krishtere. Shumë tempuj e kisha janë dëmtuar ose shkatërruar fare, venë në dukje aktivistët e të drejtave të njeriut.

Raporti është tejet i rëndësishëm për bashkësinë ndërkombëtare që ajo të mund të perceptojë situatën e vërtetë dramatike në Siri. Kjo u deklarua për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" nga eksperti i Institutit të Studimeve Orientale të Akademisë ruse të Shkencave, Boris Dollgov. Ai u takua personalisht në Siri me përfaqësuesit e komuniteteve të krishtere. Në veçanti, me drejtuesen e Manastirit katolik të femrave Saint-Jacques de l'Intercis, Agnès-Mariam de la Croix:

- Unë bisedova gjatë me të. Ajo më paraqiti fakte të goditjeve me predha të manastireve të krishtere nga militantët, të vrasjeve dhe rrëmbimeve të klerikëve, të dëbimit të banorëve të krishterë nga zonat e pushtuara prej militantëve. Në veçanti, nga qyteti Homs. Ne kemi parë fotografitë e këtyre krimeve monstruoze të kryera nga grupet më radikale militante - përfaqësuesit e organizatave islamike radikale. Duke përfshirë edhe anëtarët e organizatës "Al-Qaeda".

Nëse do të vijnë në pushtet myslimanët fanatikë, ata mund të fillojnë të hakmerren ndaj të krishterëve për paqedashjen e tyre. Për këtë flitet në raportin e Organizatës "Open Doors". Një zhvillim i tillë i ngjarjeve mund të çojë ose në izolimin e të krishterëve, ose në një eksod masiv të tyre, mendojnë aktivistët e të drejtave të njeriut. Me këtë vlerësim pajtohet plotësisht Boris Dollgov:

- Do të jetë një tragjedi e vërtetë për Sirinë dhe gjithë Lindjen e Mesme në qoftë se do të imagjinojmë për një moment se pushteti në Siri do të bjerë në duart e opozitës radikale, islamistëve. Është krejtësisht evidente se do t’i nënshtrohen masakrimit të krishterët, alavitët dhe të gjithë përfaqësuesit e pakicave kombëtare në këtë vend. Në mes tyre edhe kurdët, të cilët tani ose mbështesin regjimin e Bashar Al-Assadit, ose mbajnë qëndrim neutral ndaj tij. Kështu që kjo deklaratë e organizatës së krishterë është adekuate dhe e bërë taman në kohën e duhur.

0Pak kohë më parë Kisha Orthodhokse e Rusisë ka shprehur gjithashtu shqetësim serioz në lidhje me gjendjen e të krishterëve në Siri. Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë Kirill deklaroi se një nga shkaqet e konfliktit në Siri është ndarja në mes të shtresave të ndryshme të shoqërisë siriane në bazë të parimit të përkatësisë etnike dhe fetare. Ai njoftoi se Kisha Orthodhokse Ruse do të marrë pjesë në dërgimin e ndihmave humanitare të krishterëve që janë bërë viktima të konfliktit të armatosur dhe kanë humbur strehën mbi kokë në Siri.