0Autor i termit "humnerë fiskale” (“fiscal cliff”) u bë Kreu i Rezervës Federale Amerikane (FED), Ben Bernanke, i cili paralajmëroi Kongresin një vit më parë për situatën që mund të krijohet në fillim të vitit 2013. Është supozuar se që nga 1 janari do të hyjë në fuqi Akti i kontrollit buxhetor, gjë pas së cilës ngjarjet në SHBA dhe në botë mund të marrin madje një karakter të pakontrollueshëm. I marrë në vetvete ky akt ishte një zgjidhje kompromisi që lejoi për të rritur në vitin 2012 tavanin e borxhit publik amerikan dhe për të shtyrë përkohësisht default-in. Pothuajse në vigjilje të Vitit të Ri Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Timothy Geithner, kujtoi se mundësitë e ngritjes së borxhit publik të SHBA-së do të shterrojnë deri në fund të shkurtit. Por më 2 janar demokratët dhe republikanët kanë përfunduar megjithatë marrëveshjen e radhës, duke shtyrë edhe për dy muaj zgjidhjen e çështjes që ka të bëjë me uljen e deficitit buxhetor. Marrëveshja e arritur është shtyrja e pashmangshme, tha në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" ekspertja e Agjencisë së Pavarur analitike "Investkafe", Anna Bodrova:

- Mbi këtë shtresëzohet gjithashtu edhe tema shumë e rëndë që ka të bëjë me rishikimin e nivelit maksimal të borxhit publik të SHBA-së. Këto dy çështje i preokupojnë fort tani investitorët, të cilët nuk do të realizojnë kurrfarë blerjesh derisa të mos qartësohen gjërat në këtë drejtim. Në parim, pritet që kulminacioni i debateve të arrijë në fund të janarit, dhe atëhere republikanët nuk do të ndërmarrin më ato kompromise me demokratët, për të cilat ata patën folur në dhjetor.

Përsa i përket polit tjetër të tensioneve në ekonominë botërore - zonës së euros - këtu retë e zeza mund të fillojnë të nderen përsëri mbi kokën e Greqisë, tha në intervistën e vet me "Zërin e Rusisë" anëtari i bordit të Deutsche Bank në Rusi, Jarosllav Lisovolik:

- Duke marrë parasysh ciklin elektoral në një sërë vendeve të BE-së, para së gjithash zgjedhjet në Gjermani, faktori i Greqisë sërish do të bëhet një nga më të rëndësishmit gjatë këtij viti. Pas zgjedhjeve përpara gjermanëve do të shtrohet prapë çështja: Të ndihmohet apo jo ekonomia greke? Dhe në qoftë se përgjigja ndaj kësaj pyetje do të jetë negative, atëherë është plotësisht e mundshme që problemi grek të bëhet problemi № 1 në gjysmën e dytë të këtij viti për tregjet financiare të botës.

0Në të njëjtën kohë në vitin 2013 mund të pritet rritja e mëtejshme ekonomike në Kinë dhe Brazil. Sipas fjalëve të Jarosllav Lisovolik, ekzistojnë arsye për të besuar se ritme më të larta të rritjes ekonomike do të demonstrojë edhe Rusia. Megjithatë, mendon eksperti rus, “humnera fiskale” (“fiscal cliff) e mundshme në SHBA gjithsesi do të ndikojë në mënyrë tejet negative në të gjitha ekonomitë, duke përfshirë edhe atë ruse.