Autoritetet siriane kanë liruar më shumë se 2.100 të burgosur civilë, në shkëmbim të dorëzimit të 48 shtetasve iranianë të kapur rob prej rebelëve, njofton gazeta turke "Hurriyet".

Sipas informacionit të këtij botimi, në mesin e civilëve të liruar janë edhe katër shtetas turq. Procesi i këmbimit është ndërmjetësuar nga përfaqësuesit e Turqisë, Katarit dhe Iranit.

Në gusht të vitit 2012 rebelët sirianë kapën 48 shtetas të Iranit. Opozita siriane deklaroi se në mesin e robërve ka dhe ushtarakë të Trupave të Rojeve të Revolucionit Islamik, ndërsa në Teheran deklaruan menjëherë se këta ishin thjesht pelegrinë.