0Sipas versionit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, sistemet raketore destinohen për të mbrojtur Turqinë nga sulmet e avionëve dhe raketave siriane.

Është planifikuar vendosja e gjashtë komplekseve. Dy nga Gjermania, dy nga Holanda dhe dy nga SHBA. Për më tepër, sipas njoftimit të Komandës Evropiane të forcave të armatosura të SHBA-së, sistemet raketore të mbrojtjes kundërajrore tashmë po instalohen në Turqinë jugore.

Pritet që në këtë operacion të NATO-s të marrin pjesë edhe njësitë e forcave të armatosura të Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Polonisë. Kryesisht ato do të përfshihen në shërbimet e sigurimit të ndërlidhjes dhe koordinimit të veprimeve midis baterive të komplekseve raketore të mbrojtjes kundërajrore.

Turqia iu drejtua për ndihmë aleatëve të vet në NATO në nëntor të vitit të kaluar - pasi nga predhat aksidentale, që fluturuan në territorin e vendit nga Siria, gjetën vdekjen pesë persona. Komplekset "Patriot" janë të afta të godasin objektivat në një rreze prej 70 kilometrash dhe në lartësi deri në 20 kilometra. Ekspertët ushtarakë konfirmojnë me bindje, se përdorimi i sistemeve të tilla për kapjen e predhave të artilerisë apo minahedhësve është njëlloj si të qëllosh me topa mbi harabelat. Prandaj specialistët sugjerojnë se ato destinohen jo dhe aq për të mbrojtur Turqinë se sa për përgatitjen e një operacioni të mundshëm ushtarak në Siri. I një mendimi të tillë është edhe eksperti ushtarak rus Viktor Baranjec:

- Kjo është një punë e drejtuar për arritjen e të njëjtit qëllim - mbytjen e regjimit të Bashar Al-Assadit. Nëse përpjekja e tij për të arritur në marrëveshje me opozitën do të dështojë, atëhere plani i NATO-s për ndërhyrjen ushtarake mund të konsiderohet si i gatshëm tashmë. Dhe, megjithëse Barack Obama dhe gjeneralët e NATO-s e mohojnë kategorikisht çdo përfshirje në këtë mesele, intervencioni ushtarak është shumë i mundur. Ndërsa vendosja e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore nuk do t’i lejojë avionët dhe raketat e Assadit të kundërveprojnë ndaj atyre forcave, të cilat me propabilitet të madh do të mësyjnë territorin e Sirisë.

Sistemet e mbrojtjes kundërajrore të NATO-s do të vendosen në Turqi për të paktën dy vjet. Dhe ky afat kohor, duhet vënë në dukje, është përcaktuar pa korrektim në përputhje me zhvillimin e situatës në Siri. Ndaj këtij fakti tërhoqi vëmendjen analisti politik rus Stanisllav Tarasov:

0- Siria nuk ka ndërmend të sulmojë ndonjë vend dhe aq më tepër Turqinë. Më tepër gjasa ka që me këto veprime në rajon të dislokohen trupat e NATO-s. Dhe problemi në këtë rast nuk qëndron aspak tek Siria. Me sa duket nga të gjitha po përgatitet një ndarje e re e botës në rajonin e Lindjes së Mesme. Dhe për këtë qëllim po kapen apriori pozicionet e rëndësishme, mjaft domethënëse. Ky është një hap i ndërmjetëm para fillimit të lojës së madhe.