Gjykata zvicerane anulloi vendimin e gjykatës, të dhënë 655 vjet më parë, sipas të cilit pronarët e një ferme në verilindje të vendit duhej t’i paguanin një detyrim vjetor prej 70 frankash zvicerane (58 €) kishës katolike.

Detyrimet vjetore për vaj dhe qirinj janë paguar që nga viti 1357, kur një farë Konrad Muller kreu një vrasje dhe në shenjë pendimi u betua se në kishën lokale gjithmonë do të ndriçonte llampa e altarit, njofton Associated Press.

"Pagesën e ndriçimit" e kryenin rregullisht të gjithë pronarët e tokës, e cila më parë kishte qenë në pronësi të Muller-it, derisa një prej pronarëve refuzoi plotësimin e këtij detyrimi.

Kisha iu drejtua gjykatës, e cila shfuqizoi plotësisht pagesën për shkak se e drejta zakonore e shekullit të XIV i takon së kaluarës dhe e ka humbur fuqinë e vet juridike.