0Asteroidi, i quajtur me emrin e Perëndisë së lashtë egjiptiane të errësirës dhe të shkatërrimit, paraqet në vetvete një mollok me masë prej rreth 50 milionë ton dhe një diametër gati 300 metra. Në prill të vitit 2029, thonë ekspertët, ai do t’i qaset Tokës në një distancë afërsisht 36.000 kilometra. Kjo është lartësia e orbitave të satelitëve gjeostacionarë. Ndërsa në qoftë se Apophis do të ndodhet pikërisht në largësinë 30404.5 kilometra larg nga Toka, ai atëhere, siç thonë shkencëtarët, mund të pozicionohet në të ashtuquajturën vrimë çelësi gravitacionale. Në të forca e gravitetit të Tokës është në gjendje ta shtyjë, ta zhvendosë asteroidin në një drejtim të rrezikshëm. Megjithatë, rreziku i përplasjes së Apophis me Tokën nuk duhet ekzagjeruar, thekson eksperti rus i Institutit të Astronomisë, Dimitri Vibe:

- Rreziku i përplasjes së tij me planetin tonë sot për sot vlerësohet në raportin 1: 50 mijë, që do të thotë se probabiliteti i ndeshjes në 2036 është jashtëzakonisht i vogël. Megjithatë, Apophis-it i duhet kushtuar vëmendje serioze, sepse megjithë përmasat e veta relativisht të vogla asteroidi ka një masë dhe shpejtësi të madhe. Nëse ai do të përplaset me Tokën, gjatë kësaj do të ndodhë një shpërthim me fuqi në disa mijëra megatonë. Kjo do të jetë një katastrofë me karakter rajonal.

Po a mund të shmanget vallë rreziku kërcënues që vjen nga hapësira kozmike në formën e asteroidit Apophis? Për shembull, të ndërmerren përpjekjet për ta goditur atë në ndonjëfarë mënyre ose për t’i ndryshuar trajektoren e fluturimit. Ja se çfarë thotë eksperti rus Dimitri Vibe në lidhje me këto sugjerime:

- Ekzistojnë disa projekte që mundësojnë zhvendosjen e caktuar në kohën e duhur të Apophis për të evituar përplasjen me të në të ardhmen. Por në këtë rast duhet vepruar me shumë kujdes, sepse tani propabiliteti i përplasjes me të është tejet i vogël. Kurse ne me veprimet tona mund të provokojmë rritjen e tij.

Midis shkencëtarëve ka edhe kundërshtarë të vendosur të përpjekjeve për të ndërhyrë në rrugën e fluturimit të Apophis. Sipas Zëdhënësit të Observatorit rus Pulkovo, Smirnov Sergei, asteroidi është një dhuratë e vërtetë për astronomët.

- Takimet periodike me ta janë të dobishme për të kuptuar më mirë natyrën e trupave qiellorë. Prandaj, varianti më ideal do të ishte vendosja në trupin e asteroidit e pajisjeve që do të mundësonin përcaktimin e saktë të pozicionit të tij në hapësirën kozmike. Dhe në qoftë se do të rezultojë se në vitin 2029 afrimi do të jetë më i rrezikshëm se sa pritej, atëhere mund të ndërmerret njëfarë ndryshimi i kësaj orbite.

Për të survejuar zhvendosjen e Apophis në hapësirën kozmike shkencëtarët po përgatiten për të vendosur në trupin e asteroidit ose në afërsi të tij një fener radio. Teknologjia do të lejojë perfeksionimin e saktësisë së parashikimit të lëvizjes së ardhshme të trupit kozmik. Lëshimi i anijes kozmike, që do të çojë tek asteroidi satelitin fener radio, është planifikuar pas vitit 2020.