Shkencëtarët japonezë dhe amerikanë arritën të xhironin në video një kallamar gjigand në habitatin e tij natyror.

Video që bëri bujë të madhe u xhirua në ishullin Chichi-jima në një thellësi prej 630 m me përdorimin e pajisjeve ultrasensitive. Në video shihet syri i madh i Architeuthisit dhe tentakulat thithëse me diametër 5 cm.

Për të filmuar kafshën studiuesve iu desh të zhyteshin disa herë dhe të kalonin rreth 400 orë në një aparat të veçantë (batiskaf).

Lloji i gjetur ishte rreth 3 metra i gjatë, atij i mungonin dy tentakulat më të gjata. Me anë të tentakulave të tjera kallamari mbante prenë e tij - një kallamar tjetër, të cilin ekipi i studiuesve e përdori si karrem.

Besohet se kallamarët gjigandë ose Architeuthis mund të arrijnë gjatësinë deri në 18 metra dhe të peshojnë gati një ton.