Dy ushtarë indianë u vranë të martën si pasojë e një sulmi të befasishëm të ushtarakëve pakistanezë mbi një postbllok indian në Kashmir.

Të dielën autoritetet pakistaneze deklaruan se ushtarët indianë kishin kaluar përtej vijës kufitare të kontrollit në Kashmir dhe kishin sulmuar postbllokun e ushtrisë pakistaneze. Si pasojë e këtij incidenti u vra një ushtar, ndërsa një tjetër u plagos rëndë.

Pala indiane, nga ana e vet, njoftoi se zjarri u hap në përgjigje të një sulmi me mortaja nga territori i Pakistanit, i cili ishte ndërmarrë për të lehtësuar depërtimin e militantëve në territorin indian. India akuzon Pakistanin për mbështetje të terrorizmit në shtetet Jammu dhe Kashmir.