0Thesari unikal u gjet në muajin mars, gjatë punimeve restauruese në rezidencën e vjetër të familjes fisnike Trubeckie-Narrishkini (Trubetskye-Naryshkiny). Punëtorët, gjatë heqjes së parketit të vjetër të dyshemesë, ndeshën në një të çarë të pa përfshirë në planimetrinë e vilës së madhe. Duke vazhduar gërmimin ata arritën deri në një dhomë të murosur fort mirë me përmasa 1.5 x 2 metra, e cila ishte e mbushur plot e përplot me kuti dhe dengje pëlhure. Brenda tyre, të mbështjella me shumë kujdes, kishte shumë enë të hershme prej argjendi. Siç u bë e ditur më vonë, u gjetën plot 2168 objekte. Të gjitha të ruajtura në gjendje të shkëlqyer, pavarësisht nga fakti se enët kanë qëndruar të ngujuara në një hapësirë fare të vogël për gati njëqind vjet! Disa sende ishin të paketuara me fletë gazetash të gushtit të vitit 1917. Përveç sendeve prej argjendi të takëmeve për tryezë, u gjetën edhe zbukurime argjendarie të kategorisë së bizhuterive të shtrenjta si dhe medalje e dekorata të ndryshme. Por pjesa më e rëndësishme e thesarit të gjetur, natyrisht, ishin disa takëme të destinuara për tryezat ceremoniale - që nga pjatancat e servirjes së mezeve e deri tek kompletet e çajit. Në shumë sende të gjetura figuron emblema e familjes aristokrate të Narrishkinëve (Naryshkin). Plus markat (vulat) e mjeshtrave të tilla, si për shembull, në kompletin e filxhanave të kafesë të destinuar për raste dasmash, të punuar posaçërisht për familjen fisnike të Narrishkinëve nga argjendari i famshëm peterburgas Johan Keibel në vitin 1836.

Tani thesarin e Narrishkinëve kushdo që dëshiron mund ta shohë pjesërisht në ekspozitën "Sekretet e Shën Petersburgut", e cila është hapur në Pallatin e Car Konstantinit në periferi të kryeqytetit verior të Rusisë (Shën Peterburgut). Ekspertët janë mëse të bindur për vlerën jashtëzakonisht të madhe, madje të paçmuar të këtij zbulimi. Për këtë tregoi në një intervistë me "Zërin e Rusisë" historiania e artit Eugjenia Fursikova:

- Vlera muzeale e këtij thesari është e padiskutueshme! Ai përbëhet nga një numër i madh objektesh prej argjendi me vlerë të rrallë, të jashtëzakonshme! Për muzetë, natyrisht, kjo është fort e rëndësishme, sepse tek ne sende të tilla, thjesht, janë humbur për arsye se në agim të pushtetit sovjetik gjërat e shekullit të 19-të nuk konsideroheshin as vlera antikuare, as artistike. Ato thjesht i hiqnin qafe dhe, për fat të keq, për ne kjo shtresë e kulturës është pothuajse e humbur, ajo është paraqitur në mënyrë shumë fragmentare. Dhe meqenëse thesari i gjetur është me të vërtetë impresionues përkatësisht vlerës së vet, rëndësia e tij për Rusinë, për rikonstruktimin e kulturës aristokratike të asaj kohe është e pamohueshme.

Sipas fjalëve të specialistes ruse, thesari i familjes fisnike të Narrishkinëve paraqet punimet e argjendarëve më të mirë të kohës së vet, si rusë ashtu dhe evropianë. Përveç kësaj, disa sende dolën shumë më të hershme nga ç’ishin vlerësuar fillimisht, kurse disa marka të veçanta evropiane nuk janë përfaqësuar në përgjithësi në muzetë ruse. Është plotësisht e mundshme që në këtë thesar të ketë gjëra që janë unike jo vetëm për Rusinë, por edhe për Evropën, mendon historiania e artit Eugjenia Fursikova.

Fakti, se kjo gjetje do të njihet si vlerë e paçmuar historike e kulturore dhe trashëgimi e shtetit, as që mund të vihet fare në dyshim. Kurse përcaktimi i vlerës së thesarit të familjes së Narrshkinëve deri në atribuimin e tij të plotë është shumë e vështirë. Me marrjen parasysh të kompletimit të plotë të takëmeve për tryezë, gjendjes së mrekullueshme të ruajtjes së sendeve prej argjendi dhe pronësinë e familjes së lartë mbretërore mund të flitet për një vlerë prej qindra miliona dollarë. Meqë ra fjala, në përputhje me legjislacionin rus, në qoftë se zbulimit të bërë do t’i jepet statusi i pronës shtetërore, atëhere për 50 për qind të vlerës së tij mund të pretendojnë ata që e gjetën thesarin dhe pronarët e rezidencës. Kompania e restaurimit "Intarsia" në këtë rast përfaqëson të dyja palët e përmendura. Por, sipas fjalëve të Drejtorit të saj për Marrëdhëniet Publike Aleksandër Novikov, kompaninë e preokupon më shumë jo ky problem. Bashkëpunëtorët e saj dolën me iniciativën që pas përfundimit të të gjitha ekzaminimeve përkatëse koleksionin ta vendosin pikërisht në vendin ku ai u gjet - në rezidencës (vilën) e familjes Trubeckie-Narrishkini (Trubetskye-Naryshkiny). Në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Aleksandër Novikov sqaroi si më poshtë vijon:

- Kjo do të ishte me të vërtetë diçka mjaft interesante: të shikosh jetën e përditshme të njerëzve të cilët dikur kanë jetuar këtu, të pronarëve të kësaj rezidence. Ideja jonë konsiston në organizimin këtu, në këtë rezidencë, të një muzeu tradicional me qasje për vizitorët.

0Disa muzeume rusë gjithashtu kanë shprehur gatishmërinë për të pranuar koleksionin e gjetur. Por ekziston edhe një propozim tjetër: për të krijuar për thesarin një muze të ri. Kështu që çështja e "vendqëndrimit të përhershëm" të thesarit do të zgjidhet jo më herët se pas dy apo tre vjetësh.